E Diel, 1 Nëntor 2026

Epidemia, në spital 46 persona

Virusi i mistershëm infekton edhe 4 persona të tjerë në Urën Vajgurore, duke e çuar numrin e të prekurve në 46. 

BERAT/ DILAVER XHELILI

 Burime pranë spitalit të Beratit kanë bërë të ditur se, në orët e paradites së djeshme katër fëmijë janë diagnostikuar si të prekur nga virusi dhe janë shtruar në pavijonin e pediatrisë. Fëmijët janë të moshave 2, 4 dhe 11 vjeç, banorë të lagjes "Gur i Bardhë" të qytetit të Urës Vajgurore. Në momentin e shtrimit ata kanë qenë në gjendje të rëndë, por pas ndërhyrjes së mjekëve shëndeti i tyre është përmirësuar dhe nuk paraqet rrezik për jetën. Gjithsesi mjekët kanë dhënë alarmin dhe kërkojnë përshpejtimin e përfundimit të analizave për të përcaktuar prejardhjen e këtij infeksioni, i cili po shton çdo ditë numrin e të prekurve. Ndërsa nga grupi i punës në Tiranë pohohet se përgjigjet po vonojnë për shkak së identifikimit të virusit në bazë të mbjelljes, drejtori i Shëndetit Publik në Berattet, Maksim Prendi, gjendja është alarmante. Për të parandaluar përhapjen e virusit, si edhe numrin e të prekurve prej tij dje është bërë bllokimi i stacionit të ujësjellësit të Urës Vajgurore. Vendimi ka ardhur menjëherë pas një kërkese të bërë nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik për prefekturën e Beratit dhe Bashkisë së Urës Vajgurore, për bllokimin urgjent të stacionit të ujësjellësit. Sipas Prendit, ujësjellësi i Urës Vajgurore ndodhet në anë të lumit, 300 metra larg bregut të tij. "Ai ndodhet në buzë të rrugës dhe të shtratit të lumit Osum dhe klorinimi i ujit bëhet direkt në tubacion, pasi nuk ka depo klorinimi. Në këto kushte ky ujësjellës nuk duhet të përdoret për ujë të pijshëm. Pusi i ujësjellësit është 4 metër i thellë dhe si i tillë ai përmbytet nga ujërat e shtratit të lumit Osum, që është shumë i ndotur nga ujërat e zeza dhe mbetjet e lëndëve kimike të përpunimeve të ndryshme të fabrikave", ka theksuar Prendi. Mësohet se prej faktit që burimi ndodhet nën nivelin e shtratit të lumit dhe të tubacioneve të ujërave të zeza, nga çarjet e mundshme të tyre fekalet janë përzier me ujin e pijshëm. Virusi i shfaqur para pak ditëve në Urën Vajgurore ka krijuar edhe panik tek banorët e zonës, si edhe në periferi të qytetit, të cilat furnizohen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit. Virusi, emri i të cilit ende nuk dihet, ka pak ditë që ka prekur zonën e Urës Vajgurore. "Epiqendra" e tij është lagjja "Gur i Bardhë", banorë të së cilës janë pothuajse të gjithë personat e infektuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›