E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia gjen pas 14 vitesh këmbanën shekullore të Selcës

GJIROKASTER - Gjendet pas 14 vjetësh këmbana e grabitur në kishën ortodokse të fshatit Selcë në Gjirokastër. 

Ka qenë ora 17:00 e ditës së djeshme kur uniformat blu falë një informacioni mjaft të saktë, kanë arritur të lokalizojnë vendin ku ishte fshehur prej kohësh kambana me përqindje të konsiderueshme ari. Objekti fetar gjendej i fshehur pranë kodrave të Manastirit rreth 1 km mbi rrugën nacionale Sarandë-Ksamil dhe sipas policëve, ajo ishte e mbuluar me gurë nga të gjitha anët. Sipas policisë, kambana me një lartësi prej 50 cm dhe peshë totale 70 kg, ishte në pritje për t'u çuar në Greqi ku parashikohej të shitej me një vlerë të konsiderueshme. Në vitin 1994, këmbana e kishës së Shën Kollit në fshatin Selckë të komunës Pogon në Gjirokastër u grabit nga disa persona që ende nuk janë identifikuar nga ana e policisë së qarkut. Një telefonatë anonime në sallën operative të Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës ka njoftuar vendndodhjen e kambanës dhe më pas uniformat e blu kanë shkuar në koordinatat e servirura nga telefonuesi anonim. Sipas specialistëve të monumenteve, këmbana është prodhuar në Greqi në vitin 1895 dhe u ble në po të njëjtin vit me kontributet financiare të banorëve të fshatit Selckë në Ajio-Paraskjevi në një zonë shumë afër Janinës në Greqi. Banorët e blenë këmbanën për kishën e fshatit të tyre pasi e ndërtuan atë në fundshekullin e 19-të. Ndërkohë policia e Gjirokastrës po punon për gjetjen dhe vënien para drejtësisë së autorëve të grabitjes së kambanës, të cilët njëkohësisht dyshohet se kanë qenë po ata që e kanë fshehur për 14 vjet me radhë në pritje për t'a shitur. Nuk përjashtohet ndërkohë mundësia që kambana të jetë blerë nga persona të dytë ose të tretë të cilët e kanë ruajtur në fshehtësi deri sa e kanë pasur pothuajse të pamundur ta kalojnë atë përtej shtetit fqinj. Kjo justifikohet edhe me kontrollet e rrepta të kryera në rajonet kufitare. Mbi këmbanë janë verifikuar gjurmët e lëna nga personat që e kanë transportuar, me qëllim identifikimin e tyre. Pritet që kambana t'i kalojë sërish në pronësi kishës së fshatit Selckë, së cilës i takon që prej më shumë se 1 shekulli.                           p.n.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›