E Diel, 1 Nëntor 2026

Padit djalin: Më rreh, është i çmendur

 

FIER - Një rast flagrant denoncimi mbërrin në policinë fierake. Një baba 82-vjeçar, trupimët dhe me lot në sy i është lutur dje oficerit të rojes që ta ndihmojë nëpërmjet kolegëve të tij për të ndalur dhunën e të birit. Koli Rrapaj, banues në lagjen periferike "Mbrostar Ferko" të qytetit të Fierit kërkon ndihmë, pasi sipas tij nuk po duron dot. "Burgoseni, madje edhe kërcënojeni, rriheni dhe bëjeni të vërë mend, pasi djali im ushtron dhunë mbi mua", është shprehur ai. I moshuari thotë se shpeshherë i ka kërkuar ndihmë të plotfuqishmit të zonës, por deri tani halli i tij nuk është zgjidhur. Sipas tij, i biri Aleko Rrapaj, 38 vjeç vuan nga depresioni psikik, madje është kuruar edhe në spitalin psikiatrik të Vlorës, për shkak të sëmundjes nervore nga e cila vuan. "Ai ka qenë në emigracion, në Amerikë, Greqi, Itali, Maqedoni dhe Zvicër dhe para ishte shumë në rregull. U kthye para 2 vjetësh. Nuk di a ka qenë përdorues droge, por bëhet keq. Më rreh gati çdo natë, bëhet si i marrë për gjërat më të vogla. Edhe pse kam 7 fëmijë, 4 djem dhe 3 vajza, të gjithë janë të martuar dhe të ndarë prej meje. Kështu që jetoj vetëm me Alekon.. Ka ardhur i plotfuqishmi, e kanë shoqëruar disa herë në polici, e kanë mbajtur 4-5 orë dhe pastaj e kanë liruar. Po kështu edhe në spitalin psikik të Vlorës e kanë shtruar disa herë, por e kanë lënë prapë". I moshuari Rrapaj arrin deri aty sa thotë se djali i tij keqtrajtoi dhe të shoqen e tij që kishte zënë krevatin nga sëmundja e veshkave. "Djali bëri sherr me një djalë të lagjes dhe gruaja u ngrit për ta qetësuar. Por ai e goditur me shkelm disa herë. Ime shoqe jetoi vetëm dy ditë më pas dhe vdiq". Tashmë, i moshuari thotë se nuk di nga të shkojë dhe pret që policia e Fierit ta ndihmojë.              m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›