Krujë, pendohet vrasësi i gruas: Isha i dehur
KRUJE - Një ditë pas vrasjes së bashkëshortes, Muharrem Rustemi ndryshon dëshminë e tij në polici. Burime nga policia e Krujës bënë të ditur se 57-vjeçari i është shmangur faktit se krimi i kryer prej tij ishte i paramenduar. Ai mësohet të ketë pohuar dje se gruan e tij, Trëndafile Rustemi, e kishte vrarë në gjendje të dehur, ndonëse pak minuta pas arrestimit pranoi vrasjen për shkaqe xhelozie. "Jam penduar për krimin që kam kryer. Isha i dehur. Kisha konsumuar raki para se të vrisja gruan", mësohet të ketë deklaruar Muharrem Rustemi. Sipas tij, pikërisht për shkak të alkoolit, ai kishte patur konflikte të herëpashershme me të shoqen. Edhe dy ditë më parë kur ndodhi krimi, 57-vjeçari është shprehur se kishte patur frikë se do të bënte sherr me gruan për këtë çështje. Ndryshimi i deklarimeve të tij një ditë pas krimit bëri që policia të kërkojë ekzaminimin për të përcaktuar gjendjen mendore të tij. Ngjarja ndodhi të premten në qytetin e Krujës. Rustemi vrau me tri plumba të një pushke 20-she gruan e tij, sapo ajo u kthye nga puna. Çifti kishte tre fëmijë, dy prej të cilëve emigrantë ekonomikë në Itali, dhe djalin 17 vjeç, i cili ditën e ngjarjes nuk u ndodh në shtëpi. Dje i është dhënë lamtumira e fundit Trëndafile Rustemit, ndërsa sot pritet t'i komunikohet masa e sigurisë në gjykatë autorit të vrasjes. r.n