E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, superaksioni prangos bandën shqiptare të kokainës

 

Policia italiane shkatërron një tjetër rrjet ndërkombëtar italo-shqiptar të trafikut të drogës. Operacioni i koduar "Kodrat komaske" ka vënë në pranga 49 persona, nga të cilët 18 u arrestuan në kushtet e flagrancës. Nuk bëhet e ditur numri i shqiptarëve të arrestuar, ndërsa mësohet se një prej tyre ishte eksponenti kryesor i organizatës. Operacioni i finalizuar dy ditë më parë, ka përfunduar me sekuestrimin e 26 kilogramëve lëndë narkotike, nga të cilat 25 kg kokainë dhe 1 kg heroinë. Gjatë aksionit janë bllokuar edhe 10 autovetura, 25 telefona celularë dhe 13 mijë euro kesh. Qëllimi i operacionit ishte shkatërrimi i një rrjeti të trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike që operonte në provincën e Larias dhe i shtrirë në Italinë e Veriut dhe që bashkëpunonte me gupe kriminale në Toskana, në Alsasia (Francë), Hollandë, Zvicër, Gjermani dhe Shqipëri. Hetimet për këtë rrjet të trafikut të drogës kishin filluar dy vjet më parë me monitorimin nga ana e policisë të një rrjeti të vogël italo-shqiptar të shpërndarjes të narkotikëve që vepronin në Komo, Olgiate, Komasko, Binago e Bizarone. "Goditja e parë" ka qenë ajo e tetorit 2006, kur në autostradën A9 pranë Lomazo (Komo) janë bllokuar 700 gramë kokainë. Hetimet në vijim kanë çuar në zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut. Sipas agjencive të lajmeve të vendit fqinj, të cilat i referoheshin burimeve policore, bëhet e ditur se droga vinte nga Hollanda dhe pasi futej në Itali në rrugë tokësore në pikëkalimin e Breneros, përpunohej në provincën e Lukës. Më pas ajo hidhej kryesisht në tregun e Italisë së veriut. "Mes personave të arrestuar, spikat shqiptari N.Zivanaj, 42 vjeç, i cili nga Komo koordinonte gjithë aktivitetin e trafikantëve ndërkombëtarë të lëndëve narkotike", bënin të ditur dje agjencitë italiane të lajmeve. Sipas këtyre burimeve, Zivanaj, me kombësi shqiptare kishte lejeqëndrimi të rregullt në Itali, ndërsa kërkohej nga policia zvicerane për trafik droge në kantonin e Bazileas. Ai realizonte kontaktet me furnitorët e heroinës nga Shqipëria dhe atyre të kokainës nga Holanda. Ndërsa lënda narkotike, e ardhur nga Vendet e Ulëta në Itali, ishte e destinuar për Toskanën, heroina dërgohej në Mulhouse, qytezë në rajonin e Alsazias në Francë. Organizata është shkatërruar edhe falë bashkëpunimit të organeve zvicerane dhe franceze me ato italiane. Vetëm pak ditë më parë operacioni "Ramazan" vuri në pranga 20 shqiptarë, anëtarë të një rrjeti të trafikut të drogës nga Vendet e Ulëta drejt Italisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›