E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekt në tubat e ujësjellësit,60% e Tiranës mbetet pa ujë



nertila maho

Një defekt në valvulat e avarisë në pusetën kryesore të shpërndarjes së ujit të impiantit të Bovillës ka ndërprerë mbrëmë në orën 18:00 ujin në 60% të kryeqytetit. Lagjeve të tilla si Selvia, qendra e Tiranës, Siri Kodra, Kinostudioja dhe një pjesë e madhe e Laprakës, që janë zona që zënë peshën më të madhe të konsumit të ujit, u është ndërprerë furnizimi deri në riparimin e defektit. Ngjarja ka ndodhur në momentin kur grupet e punës të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve kanë qenë duke punuar për rikonstruksionin rutinë në pusetë, por që situata ka dalë jashtë parashikimit. "Si rezultat i një konstruksioni të thellë që po zhvillohet në impiantin e Bovillës, dhe në mënyrë kryesore në impiantin e shpërndarjes së rrjetit të ujit të Tiranës, sot ka qenë planifikuar të bëhet rikonstruksioni i pusetës kryesore, e cila bën shpërndarjen e 60% të ujit në gjithë Tiranën. Gjatë punës ishin marrë gjithë masat për kryerjen e këtij operacioni, por valvulat e sigurisë dhe avarisë nuk kanë funksionuar dhe si rezultat ka filluar shkarkimi në mënyrë të pavullnetshme i gjithë sasisë së ujit, që dilte nga impianti i Bovillës në drejtim të qytetit Tiranës", shpjegoi dje Drejtori i Ujësjellës Kanalizime, Sahit Dollapi. Ai informoi lidhur me masat e marra për menaxhimin e kësaj situate, duke filluar nga ndërprerja e furnizimit me ujë e linjës kryesore të Bovillës, që sjell ujin në qendër të Tiranës. Për momentin si zgjidhje është menduar montimi i një pajisje provizore, derisa hiqet pjesa e dëmtuar e valvulës kryesore. Dollapi theksoi se do të punohej gjatë gjithë natës, deri në konstruksionin e plotë dhe riparimin e kësaj avarie, në mënyrë që sot të garantohet furnizimi i Tiranës me ujë. Nga ana e kreut të Ujësjellës-Kanalizime u bë me dije se situata e krijuar erdhi si rezultat i rikonstruksionit rutinë që bëhet në valvulat e kontrollit të presionit dhe sasisë së ujit në impiantin e shpërndarjes së rrjetit të ujit. "Shkak i kësaj situate është mosfunksionimi i valvulave të avarisë, të cilat janë pajisje që kanë 15 vjet që janë vendosur dhe ne po bëjmë rikonstruksionin dhe riparimin e tyre. Një gjë e tillë mund të ndodhë dhe është normale", u shpreh Dollapi. Sipas tij, sasia e ujit e shkarkuar për shkak të defektit të djeshëm është e papërfillshme, pasi u reagua në kohë për riparimin. "Rikonstruksioni është punë rutinë që do vazhdojë deri në fund të muajit qershor, me qëllim që në muajt e verës t'i garantojmë qytetarët e Tiranës që do furnizohen me ujë ndryshe nga vitet e tjera", përfundoi Dollapi.

Zonat pa ujë

Selvia
Qendra
Siri Kodra
Kinostudioja
Lapraka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›