PS, protestë para QSUT për gjendjen në spitale
Banorët e Njësive Bashkiake nr. 3 dhe nr. 4 në Tiranë protestuan dje në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Arsyeja kryesore e kësaj proteste ishte kostoja e lartë e shërbimit shëndetësor. Por jo vetëm kaq, ata protestuan edhe për gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën jetojnë dhe për papunësinë në rritje. Kjo protestë u mbështet edhe nga përfaqësuesit vendor e lokal të Partisë Socialiste. Të pranishëm në protestë ishin deputeti i PS, Ilir Gjoni, si dhe nga kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 4, Vaid Kalaja. Ata ftuan banorët për t'iu bashkuar protestës së madhe së 30 prillit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". "Njerëzit janë të revoltuar, sepse nuk mund ta përballojnë dot koston e jetesës, nuk mund të përballojnë dot faturat e energjisë, ato të ujit dhe çmimet e rritura", u shpreh deputeti i PS, Ilir Gjoni.