Rama: Protesta e 30 prillit, jo e dhunshme
Aristir Lumezi
"Opozita nuk do të organizojë protesta të dhunshme". Ky ishte përcaktimi i natyrës së protestës, që PS dhe opozita do të zhvillojë në 30 prill, sipas Edi Ramës. "Protesta do të jetë paqësore", sqaroi Edi Rama, duke pranuar edhe krahasimet me mënyrën e Gandit apo Martin Luterkingut në reagim. "Askush nuk duhet të përfytyrojë një përplasje të dhunshme, por horizonti i përfytyrimit të një rezistence popullore, paqësore, të vendosur, këmbëngulëse, është kaq e gjerë falë edhe shumë e shumë shembujve, ku përpjekjet e njerëzve për të garantuar liri dhe dinjitetin e tyre brenda gjithë hapësirës së një jete të vërtetë demokratike kanë pasur sukses pikërisht falë forcës së arsyes dhe jo arsyes së forcës", u shpreh Rama dje gjatë bashkëbisedimit javor me gazetarët në selinë rozë. Kreu socialist, i pyetur rreth nxitjes së mosbindjes civile, tha se ajo është një praktike demokratike, e përdorur në disa vende të botës. "Përpjekja jonë do të vazhdojë pa u ndalur dhe e përsëris: me durim, me kurajë dhe me një këmbëngulje shembullore, si një rezistencë paqësore e njerëzve që nuk e shesin dhe as e negociojnë shkallën e lirisë së tyre. Askush nuk duhet të përfytyrojë një përplasje të dhunshme, por horizonti i përfytyrimit të një rezistence popullore, paqësore, të vendosur është kaq i gjerë pas shumë e shumë shembujve, Martin Luter Kingun, mbi Gandin mbi lëvizjet e mosbindjes civile dhe të tjera", deklaroi Rama. Kryesocialisti u bëri thirrje Kryeministrit dhe maxhorancës të mos bëjnë shurdhin, por të gjejnë zgjidhje të krizës që po kalon vendi. "Duhet kuptuar shumë qartë që ne në 30 prill do bëjmë një përshkallëzim të kësaj beteje dhe ndërkohë përsërisim domosdoshmërinë që zoti Berisha dhe pushteti i dalë nga vota e grabitur të mos bëjë shurdhin dhe as qorrin përballë të vërtetës së madhe, se ky vend nuk mund të kthehet në një mbretëri të pa shpallur, ku pasuritë e përbashkëta trajtohen si asete në funksion të pasurimit të një grushti njerëzish, ku ligji zbatohet për ata që nuk kanë lidhje me pushtetin", u shpreh Rama.
Ekonomia
Kryesocialisti u qëndroi besnik arsyeve ekonomike për të cilat proteston opozita çdo ditë në qytete dhe komuna të ndryshme të vendit. Duke folur për rrënimin e ekonomisë dhe shtetin e dobët të së drejtës, Rama iu referua dy raporteve të organizatës jofitimprurëse spanjolle, Fride, dhe një kompanie konsulence të angazhuar nga vetë Qeveria shqiptare. Specialistët e financave publike, vendës e të huaj, e konsiderojnë analizën e kompanisë "Standard& Poor's" si një vlerësim realist. "Sipas këtij vlerësimi, financat tona publike kanë marrë notën B+, që e thënë më thjeshtë, nëse nota më e lartë e përdorur nga kjo kompani është 1 dhe më e luta është 18, Shqipëria është vlerësuar me notën 15. Duke u renditur në të njëjtin nivel me Kamboxhian, Sri Lankën, Ugandën, Senegalin, Mozambikun dhe me radhë. Në këtë aspekt dëshiroj të theksoj se bazuar edhe në këtë vlerësim kompetent, çka kemi thënë, jo vetëm rezulton të jetë e bazuar mbi të vërtetën, por mbetet alarmante", u shpreh Rama. Sipas tij, problemet që e rendisin Shqipërinë kaq keq në këtë klasifikim, kanë të bëjnë me borxhin tepër të lartë, e shkallën e ulët të mirëqenies ekonomike. "Kompania vërteton në vlerësimin e saj, shqetësimin tonë se, borxhi ynë publik ka arritur shifra të papërfytyrueshme dhe është më shumë se dy herë më i madh, se totali i të ardhurave që arrin të mbledhë Qeveria shqiptare", tha Rama.
Amnistia e Topit
Lista me 367 të burgosurit e amnistuar nga Presidenti Bamir Topi do të verifikohet nga socialistët, të cilët akuzojnë se në 28 qershor të burgosurit u përdorën për të manipuluar votat. "Nuk mund t'i përgjigjemi me improvizim, apo me një reagim të menjëhershëm, por do i përgjigjemi pasi të kemi bërë një analizë të të dhënave të kësaj liste", u shpreh Rama. Dy ditë më parë, Presidenti i Republikës përmes një dekreti amnistoi një numër shumë të madh të burgosurish, një pjesë e të cilëve, të dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa edhe dy nga ish- presidentët e firmave piramidale.