Dy biznesmene shqiptare takim me Obamën
Samiti Presidencial mbi Sipërmarrjen, organizuar nga Presidenti Obama do të ketë edhe dy mysafirë shqiptarë. I programuar për t'u zhvilluar në datat 26-27 prill, në ndërtesën Ronald Regan në Uashington, D.C, Shqipëria do të ketë si përfaqësuese dy biznesmene, Elsa Balteza të kompanisë Beba Kozmetik dhe Donika Mici të kompanisë Donianna. Samiti do të theksojë rëndësinë e sipërmarrjes, krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit të komuniteteve. Ai do të mbledhë rreth 250 sipërmarrës të suksesshëm nga mbi pesëdhjetë vende, do të identifikojë mënyra për të çuar përpara sipërmarrjen ekonomike dhe shoqërore, do të ndërtojë rrjete mes të interesuarve në sipërmarrje, si dhe do të ofrojë një mundësi për të vendosur partneritete që çojnë sipërmarrjen përpara. Samiti thekson synimet e gjera të Presidentit për të mbështetur sipërmarrjen, novacionin, dhe mundësitë ekonomike në ShBA. dhe jashtë. Sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet se kjo nismë lindi gjatë fjalimit "Një fillim i ri" i Presidentit Obama në Kajro, në qershor të vitit të kaluar. Ai anonçoi se do të organizonte një Samit për Sipërmarrjen, për të identifikuar se si mund të thellohen marrëdhëniet mes liderëve të biznesit, fondacioneve dhe sipërmarrësve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe komuniteteve myslimane në botë. Më tej, në njoftimin e Departamentit theksohet se Samiti është organizuar në mënyrë të tillë për të theksuar dhe vlerësuar punën dhe talentin e shumë sipërmarrësve nga komunitetet myslimane nëpër botë, ndërkohë që detajet e hollësishme për zhvillimet janë lënë për t'u paraqitur gjatë ditëve në vazhdim.