E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Shqipëria, pro hyrjes së Bosnjës në NATO



Zv. kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta mori pjesë në Takimin Jozyrtar të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në Talin, Estoni. Në fjalën e tij gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut me vendet kontribuuese në operacionin ISAF në Afganistan, zv. kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për arritjen e objektivave të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar për Afganistanin. Meta u shpreh i inkurajuar për rritjen e numrit të vendeve kontribuese në kuadër të ISAF (aktualisht 46), si tregues i qartë i angazhimit në Afganistan, që nuk ka për qëllim sigurinë e Aleatëve dhe as të ndonjë vendi të veçantë, por të të gjithë komunitetit të vendeve demokratike. Gjatë Ministerialit, Kryediplomati mbështeti aspiratat integruese euroatlantike të Bosnje-Hercegovinës dhe ritheksoi qëndrimin e Shqipërisë në favor të përfshirjes së saj në Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO. "Përqasja e NATO-s në rajonin tonë ka qenë një histori suksesi, por ne mbetemi të mendimit se NATO ka ende një punë të "papërfunduar" në rajon. Ne vlerësojmë faktin që në takimin tonë të Ministrave të Jashtëm në dhjetor kemi ftuar Malin e Zi, për t'u bashkuar me Planin e Veprimit për Anëtarësim, dhe afirmuam mbështetjen tonë për pjesëmarrjen e Bosnje-Hercegovinës në PVA (MAP). Ftesa për përfshirjen e Bosnje-Hercegovinës në Planin e Veprimit për Anëtarësim, do të shërbejë jo vetëm si frymëzim i brendshëm për përparim dhe reforma të mëtejshme në fushat politike dhe të mbrojtjes, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›