E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Prifti firmos koncesionin 20 milionë euro për kromin



Plot 25 milionë dollarë pritet që të investohen në sektorin minerar nga dy kompani të huaja, Kurum Energy dhe kinezja Sichuan Jiannanchun International Group Ltd. Marrëveshja e Koncesionit për minierat, e nënshkruar dje nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, përfshin edhe detajet e kësaj sipërmarrje të re. Dy kompanitë janë bashkuar në një ndërmarrje të quajtur Illyria Minerals Industry Sh.a, dhe përmes nënshkrimit të marrëveshjes me Qeverinë shqiptare, përfitojnë të drejtën për shfrytëzimin e minierës së kromit Kalimash, minierës së kromit Vlahnë, fabrikën e pasurimit të kromit Kalimash dhe fabrikën e pasurimit të bakrit Golaj, e cila do të kthehet në një fabrikë të pasur kromi. Entuziast për këtë investim është shprehur ministri Prifti, i cili e lidhi këtë me situatën e favorshme të investimeve në vend, ku pothuajse çdo ditë Qeveria shqiptare po firmos marrëveshje me investitorë të huaj. "Kjo është një shenjë e mirë që Shqipëria është një vend shumë tërheqës për investime të huaja. Nuk është rastësore që kompania turke KURUM Energy dhe kompania kineze Sichuan Jiannanchun International Group Ltd, sot janë duke firmosur një marrëveshje tepër të rëndësishme me Qeverinë shqiptare në industrinë e kromit. Vetëm kompania kineze ka të ardhura vjetore mbi 6 miliardë euro, kur ne kemi buxhetin e shtetit shqiptar 4 miliardë euro. Pra, një kompani gjigande", u shpreh ai. Nga ana tjetër, ministri vuri theksin në pjesën tjetër të këtij investimi, i cili do të japë një tjetër ndihmesë në punësimin e banorëve të zonës. Nga ana e tyre, investitorët janë shprehur të gatshëm për një bashkëpunim më të gjerë në vendin tonë. "Nëse do të gjejmë bashkëpunim nga ana e Qeverisë, ne padyshim do të dyfishojmë kapacitetet e prodhimit të ferrokromit dhe do të konsiderojmë seriozisht mundësinë e prodhimit të ferro-aliazheve të tjera", është shprehur Zeki Kaya, Koordinatori Vendor i Kurum Holding gjatë fjalës së tij. Edhe përfaqësuesi i kompanisë kineze, Uang Ying u shpreh se projekti parashikon eksplorimin masiv të zonës që përcakton marrëveshja. "Ne do të përpiqemi të zgjerojmë dhe të diversifikojmë objektivat e biznesit tonë këtu me partnerët tanë, duke përfshirë energjinë dhe veprimtari të tjera minerare", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›