“Land Rover”, mbreti i makinave 4x4, me një përfaqësi zyrtare në Shqipëri
Ervin Koçi
Shqiptarëve i ofrohet një mundësi më shumë jo vetëm për të përmbushur dëshirat e tyre për makina, por edhe për të zgjedhur atë më ekonomiken. Kompania e super veturave “Land Rover” është më e reja që vjen zyrtarisht tani me përfaqësinë e saj në Shqipëri, duke i shtuar kështu tregut shqiptar një tjetër gjigant motorik që prezantohet denjësisht në tregun tonë. Edhe pse makinat e kësaj kompanie kanë kohë që kanë hyrë në tregun tonë, “Land Rover” tani duket se do të ketë shtëpinë e saj në Shqipëri, ku ekskluzivitetin e shitjeve do ta ketë kompania “Albanian Motor Company”, e cila me parë ka sjellë në treg markën e makinave “Ford”. Për këtë qëllim dje kompania “Albanian Motor Company” ka bërë dhe prezantimin zyrtar të marrjes së ekskluzivitetit dhe të përfaqësisë për tregun shqiptar të gjigantit “Land Rover”. Në korrik 2008 ishte pikërisht kjo përfaqësi “Albanian Motor Company”, e cila firmosi marrëveshjen me kompaninë “Land Rover” për të qenë pikërisht përfaqësuesja ekskluzive dhe zyrtare e këtij gjiganti motorik në vendin tonë. Ky ekskluzivitet u shtohet dhe markave të tjera të njohura që shpërndahen pikërisht nga “Albanian Motor Company”, si “Ford and BRP”.
Kush është “AMC”
“Albanian Motor Company”, që do të njihet tashmë edhe nën siglën “AMC”, është një kompani private që operon në tregun shqiptar të automjeteve dhe koncesionarëve që prej katër vjetësh. Ajo është një nga kompanitë koncesionare me më shumë marka makinash ekskluzive (që ka shpërndarjen ekskluzive) në tregun shqiptar. Kjo kompani prestigjioze i shërben aktualisht tregut shqiptar të makinave dhe klientëve me markat dhe modelet më të fundit të prodhimit të automjeteve, kryesisht vetura, si dhe servisin dhe të gjitha shërbimet për to. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të “AMC”, Ilia Çili, “ardhja në Shqipëri e një marke të tillë si ‘Land Rover’ është tashmë një mundësi për të gjithë ata që janë të pasionuar pas një makine të tillë. Të gjithë klientët që duan një ‘Land Rover’ tani kanë mundësinë që të zgjedhin direkt në Shqipëri modelet më të fundit të kësaj makine, me të gjitha opsionet që kërkojnë, si dhe me çmime shumë të favorshme. Madje këto çmime do të jenë edhe shumë më të ulëta sesa ato që ofrojnë koncesionarë të tjerë të paligjshëm dhe të paautorizuar nga ‘Land Rover’”. Sipas drejtorit Çili, “AMC” do të ofrojë gjithashtu edhe pjesë këmbimi origjinale si dhe servisin e një cilësie ndërkombëtare për të gjithë klientët. Në çmimin e makinave të reja përfshihet edhe zhdoganimi i saj, si dhe pajisja e saj me targat shqiptare. Po kështu, garancia për çdo makinë do të jetë 3 vjet ose e barabartë me 100 mijë kilometra.
Kush është “Land Rover”
“Land Rover” është zgjidhja e duhur për tregun shqiptar të makinave, si dhe mjeti i duhur për rrugët e Shqipërisë. Kjo markë prestigjioze britanike ka një histori 60-vjeçare dhe prej 16 vitesh ka qenë kompania lider në prodhimin e makinave 4x4. Kjo markë është dhe një prej makinave më të lakmuara nga të gjithë motoristët dhe shoferët, modelet e të cilave ofrojnë luksin dhe komoditetin më të madh të një autoveture si dhe sigurinë dhe funksionalitetin e një supermjeti në të gjitha llojet e terreneve. Kompania “Land Rover” njihet si lider në tregun e makinave 4x4 dhe ka hedhur deri tani në treg mbi 4 milionë makina që nga themelimi i saj. Në total kjo kompani prodhon mbi 200 mijë makina në vit. Drejtori i shitjeve të “Land Rover” në Shqipëri, Ilia Çili, shprehet se një nga projektet e kompanisë në të ardhmen “është prodhimi i makinave me energji të pastër, pa ndotje mjedisore”.
26 Shtator 2008