Defektet në rrjet, në Tiranë kufizime energjie dy orë në ditë
Kryeqyteti do të përballet me kufizime të energjisë elektrike prej gati dy orësh në ditë në javët në vijim. Ndërprerja e energjisë do të jetë kryesisht në oraret e pikut nga ora 18:00-20:00 të çdo dite. Sipas Operatorit të Sistemit të Transmetimit, kjo do të ndodhë pasi linjat kryesore të furnizimit me energji elektrike kanë pësuar defekt nga moti i keq. “Kufizimet në Tiranë do të variojnë sipas zonave. Tirana furnizon pjesën veriore me energji, ndaj do të ketë mbingarkesa të stacionit”, - deklaroi dje drejtori i OST-së, Ymer Balla. Ndërprerje të energjisë elektrike do të ketë në të gjitha qytetet, kryesisht në veri të vendit. Kufizimet e energjisë elektrike, sipas Ballës, do të zgjasin të paktën 2 javë për shkak të kohës që duhet për të riparuar defektet. Sipas tij, linja e transmetimit të energjisë 220 kV “Vau i Dejës-Lezhë” është e vetmja që ende nuk është riparuar, pas dëmtimit që pësoi ditët e fundit nga moti i keq. "Brigadat e riparimit të avarive të OST-së janë në terren dhe po punojnë për vënien në punë sa më shpejt të linjës Vau i Dejës-Lezhë, ku janë tetë shtylla të dëmtuara", - tha Balla për median. OST-ja po bashkëpunon me OSSH-në që kufizimet të jenë të alternuara dhe konsumatorët të mos kenë ndërprerje të gjata të energjisë. Si pasojë e motit të keq, u dëmtuan dhe disa linja të tjera të transmetimit, si linja Elbasan-Librazhd, por qyteti i Librazhdit, që mbeti një kohë të shkurtër pa energji, u furnizua nga qyteti i Korçës. Për shkak të defekteve në linjat nga ngricat dhe moti i keq, pati mbingarkesa dhe në linjat e tjera ku pati kufizime të pjesshme të energjisë në qytetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, si dhe në jug të Shqipërisë. Ndërkohë, linja e interkonjeksionit 400 kV Elbasan-Podgoricë do të përfundojë në fund të vitit 2009. Punimet po vazhdojnë edhe në segmentin Tiranë-Elbasan, një linjë më e shkurtër se Tiranë-Podgoricë. Pjesa e parë e linjës po financohet nga banka gjermane KFË, me vlerë rreth 41,8 milionë euro, ndërsa faza tjetër, ose linja Elbasan-Tiranë, po financohet nga "Cooperazione Italiana", me vlerë 13 milionë euro.
8 Janar 2009