E Diel, 1 Nëntor 2026

Instalimi i kasave fiskale, tatimorët bashkëpunojnë me inspektorët e bashkive



Ervin Koçi

Ministria e Financave, pasi dështoi në aplikimin e projektit për kasat fiskale te subjektet e biznesit, këtë vit do ta nisë atë me një strategji të re. Ndryshe nga vjet, këtë vit ekspertët e Ministrisë së Financave, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, do të bashkëpunojnë edhe me inspektorët tatimorë të bashkive dhe komunave. Viti 2008 u mbyll për subjektet e biznesit të vogël duke e raportuar xhiron në mënyrë apriori, në mungesë të kasave regjistruese. Për pasojë, edhe Tatimet i përllogaritën të ardhurat dhe detyrimet po në formë apriori, në bazë të vlerësimit të përafërt që gjithsesi ishte me leverdi për qeverinë, pasi u arkëtuan më tepër të ardhura në buxhet nga taksat dhe tatimet. Ministria e Financave mësohet se ka përfunduar edhe marrëveshjet me firmat private që janë kontraktuar për tenderin e kasave fiskale dhe për instalimin e tyre te subjektet private. Po sipas të njëjtave burime mësohet se, “kostoja e projektit që firmat fituese të tenderit i kanë ofruar Ministrisë ka qenë e lartë edhe për faktin se firmat pretendonin se më shumë se instalimi kushtonte mirëmbajtja e kasave, duke aluduar se në shumë raste mund të prisheshin edhe qëllimisht nga subjektet”. Kjo gjë shkaktoi dhe vonesat vitin e kaluar në këtë proces, që tani do të vijojë aty ku ka mbetur.

Kasat me koncesion

Ministria e Financave përzgjodhi vjet katër kompani, të cilat parashikohej të zbatonin projektin koncesionar duke u instaluar të gjitha subjekteve të biznesit kasat fiskale dhe duke u kujdesuar për mirëfunksionimin e tyre. Por duket se kontrata ka mbetur e bllokuar mes shtetit dhe firmave private koncesionare. Burime zyrtare në dikasterin e Financave thanë se ende nuk është nënshkruar kontrata për instalimin e kasave regjistruese, duke e lënë të hapur mundësinë e deklarimit të zgjatjes së projektit, faza e parë e të cilit duhet të kishte përfunduar që në mesin e vitit 2008. Sipas të njëjtave burime, mësohet se shkaku është që Ministria e Financave ende nuk po bie dakord me referencat e kontratës, ku pika që po mban peng gjithë procesin, është ajo e ruajtjes së të dhënave. Pra, kompanitë nuk po bien dakord me mënyrën që ka përzgjedhur Ministria e Financave për kontrollin e të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. E thënë ndryshe, kasat regjistruese duhet të përmbajnë memorien fiskale, e cila do të kontrollohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Sakaq, kapaciteti i memories fiskale, pra kasës regjistruese, duhet të sigurojë ruajtjen e regjistrimeve të së paku 1800 raportesh ditore e fiskale, maksimumi i 20 ndryshimeve të shkallëve tatimore dhe të 200 ndërhyrjeve për zhbllokime të softwar-eve. Këto kushte ende nuk po i bindin kompanitë, çka do të sjellë, sipas Ministrisë së Financave, që instalimi i kasave regjistruese të shtyhet për vitin tjetër.

Pretendimet e biznesit

Shtyrja e projektit për instalimin e kasave fiskale këtë vit do të sjellë plotësimin e njërës prej kërkesave kryesore të biznesit të vogël, i cili nuk ka qenë dakord për instalimin e tyre brenda vitit 2008. Përsa i përket mënyrës së procesit, katër kompanitë koncesionare që janë përzgjedhur do t’i shesin biznesit kasat regjistruese, por të gjitha të dhënat e memories fiskale do të kontrollohen nga tatimorët. Përsa u përket atyre subjekteve të biznesit që aktualisht operon me kasa regjistruese, të tillë si bizneset “VIP”, supermarketet, agjencitë e ndryshme etj., ato do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtat kasa regjistruese, por të cilat do të lidhen me databasen e tatimeve. Përpara se të fillojë hedhja e të dhënave të qarkullimit nëpërmjet pajisjes fiskale në memorien fiskale, paraprakisht duhet të futen të dhënat, si: numri i identifikimit të tatimpaguesit, numri i identifikimit të regjistruesit elektronik (dy shifra për identifikimin e kompanisë shitëse të arkës dhe katër numra dhjetorë të tjerë), data, ora dhe minuta e fillimit të mbajtjes së regjistrimit të xhiros nëpërmjet regjistruesit elektronik dhe logoja fiskale. Nëse memoria fiskale pëson defekt, pajisja fiskale duhet të regjistrojë fjalën “gabim”, si dhe të ruajë të gjitha të dhënat e mëparshme.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›