Të vendoset barazia në tregun e hidrokarbureve
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve
LETËR E HAPUR
Të vendoset barazia në tregun e hidrokarbureve
Drejtuar: Z. Sali BERISHA
Kryeministër i Shqipërisë
Zoti Kryeministër,
Qeveria, me VKM Nr. 147, datë 21.03.2007, ka vendosur që më 01 janar 2009 e në vazhdim të hiqet nga tregu Gazoili 02, si për importin, ashtu edhe për prodhimin vendas. Koha në dispozicion ishte e mjaftueshme që rafineria vendase të përmirësonte teknologjinë e prodhimit për standardet e tjera të lejuara. Kjo praktikë është përdorur edhe nga vendet e tjera të rajonit e me gjerë. Në këtë kuadër, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka qenë dhe është dakord me zbatimin e këtij vendimi, i cili garanton barazinë në treg.
Kërkesa jonë e përsëritur edhe për takimin me Ju është e lidhur me situatën më të fundit të krijuar në tregun e karburanteve nga hyrja në fuqi e një VKM-je tjetër Nr. 1110, datë 30.07.2008.
Mosrealizimi i këtij takimi na detyron t’Ju drejtohemi me këtë letër të hapur për të shprehur qëndrimet e të gjithë anëtarëve të shoqatës për këtë deformim serioz të tregut të hidrokarbureve dhe diskriminimin e plotë që u bëhet operatorëve të tij.
Z. Kryeministër,
VKM-ja Nr.1110, datë 30.07.2008, i jep ekskluzivitet të plotë shoqërisë “ARMO” në tregtimin e gazoilit D2 dhe ua heq këtë të gjitha subjekteve të tjera importuese e tregtuese, duke i detyruar konsumatorët të marrin vetëm prodhimin e rafinerisë së Ballshit, që është një teknologji e viteve ‘50 të shekullit të kaluar. Me këtë vendim u merret biznesi të gjitha subjekteve të tjera e i kalohet ky aktivitet vetëm një subjekti.
Z. Kryeministër,
Ju drejtohemi Juve me shpresën se ky është një keqkuptim. Ju si kryetar i opozitës në vitin 1999 keni dhënë një ndihmesë të madhe në prishjen e skemave monopolizuese të këtij sektori nga qeveria e asaj kohe. Ne nuk mund ta besojmë se Ju keni ndryshuar qëndrim dhe nga një përkrahës i zjarrtë i liberalizimit të tregut keni përqafuar idetë e ekskluziviteteve dhe të monopolizimeve të tregut.
Ju kujtojmë, qëndrimet tona i ka certifikuar dhe konsideruar të drejta Autoriteti i Konkurrencës. Ky Autoritet, me Vendimin e tij Nr.89, datë 30.12.2008, mbasi ka shqyrtuar përmbajtjen e VKM Mr.1110, datë 30.07.2008, ka vërejtur se diferencimi që bën ky vendim është një shtrembërim i konkurrencës dhe është në kundërshtim me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA), Nenet 81,82 dhe 86 të Traktatit të KE-së. Për këto shkaqe, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur t’i rekomandojë Këshillit të Ministrave shfuqizimin e VKM Nr.1110, datë 30.07.2008.
Ne jemi vënë gjithashtu në dijeni se po përgatiten akte të tjera, të cilat do të thellojnë këtë ekskluzivitet duke krijuar një monopol të dyanshëm, prodhim tregtim, në sektorin e hidrokarbureve.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve kërkon edhe një herë ndërhyrjen Tuaj për rivendosjen e barazisë në tregun e karburanteve, në përputhje me traktatet e KE, me detyrimet e marra përsipër me MSA-në dhe OBT-në.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve
8 Janar 2009