Zhduket mes dëborës një 34-vjeçar në Dibër, sot dhe nesër përkeqësohet moti
PESHKOPI – Shtohet bilanci i viktimave të shkaktuara nga moti i keq, ku vetëm gjatë ditës së djeshme është shënuar rasti i humbjes në dëborë të një 34-vjeçari në qarkun e Dibrës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut pohojnë për mediat se pre 5 ditësh nuk dihet fati i shtetasit Hysen Leka, pasi trashësia e dëborës ka arritur mbi 1 metër. Sipas informacioneve nga ana e drejtorisë së policisë në Dibër kanë qenë të afërmit e 34-vjeçarit nga fshati Zall-Reç që kanë njoftuar në polici, duke rrëfyer dhe largimin e të afërmit të tyre nga shtëpia ku banonte. Ai ka dalë nga shtëpia mëngjesin e datës 3 janar për të kryer një vizitë te mjeku stomatolog, por nuk është kthyer më në shtëpi. Familjarët kanë kërkuar ndihmën e policisë lokale për të mundësuar gjetjen e tij. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së qarkut Dibër tha se forcat policore janë vënë në kërkim të 34-vjeçarit prej disa ditësh. Kjo është viktima e dytë e borës pas 46-vjeçarit që vdiq dy ditë më parë në qytetin e Pukës. Ndërsa tri ditë më parë dy të moshuara u dogjën teksa po ngroheshin para mangallit në Elbasan.
Fshatra të tërë në veri të vendit, si në Pukë, Mirditë, Kukës, Tropojë, Dibër, Mat, Malësi e Madhe janë totalisht të bllokuara nga reshjet e dendura të borës. Po kështu, dëborë e madhe ka rënë edhe në zonat e thella të jugut si në Korçë etj. Ndërsa në jug të vendit ka pasur probleme me reshjet e shiut. Në Gjirokastër janë vënë re rrëshqitje në lagjen “Kodra e Shtufit”, “11 janari” dhe zona pranë Postbllokut, në lagjen “Punëtore”. Ndërsa në vendin e tragjedisë se 9 nëntorit, ditët e fundit për shkak të shirave të rrëmbyeshëm zona e mbetur në pjesën e sipërme të rrënojave vazhdon të rrëshqasë ende, duke rrezikuar shembjen e godinës më të afërt siç është qendra e rekrutim mobilizimit të dhe më pas pjesën e sipërme të lagjes “11 Janari”. Ndërtimet pa kriter, një karakteristikë kjo për të gjitha qytetet e vendit, duket se po bëhen shkak i rrëshqitjeve masive të dherave në Gjirokastër.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile shpërndau dje 6.5 tonë ndihma ushqimore në 6 komuna në veri të vendit, të bllokuara nga bora, ndërkohë që vijon puna për hapjen e rrugëve rurale të bllokuara. Ndarja e ushqimeve dhe ndihmave të tjera është bërë nga tre helikopterë të Ministrisë së Brendshme dhe dy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes. Ato kanë kryer fluturime në komunat; Arrën, Kalis, Zapod dhe Gryka e Çajës të Qarkut të Kukësit, si dhe Sllovë e Kalaja e Dodës në Qarkun e Dibrës, si dhe në Lekbibaj të Tropojës, ndërkohë që janë dërguar për ndihmë mjekësore drejt Tiranës dy banorë të Kukësit.
Meteorologët parashikojnë përkeqësim të motit dhe ulje të temperaturave gjatë ditës së sotme. “Vendi ynë do të ndikohet sot nga vlera të larta të presionit atmosferik. Mbi vendin tonë do të qarkullojnë masa ajrore të paqëndrueshme, të lagëta dhe më pak të ftohta se 24 orë më parë, pasi vërehet një tendencë në rritje e temperaturave”, - thonë ekspertët e Shërbimit Meteorologjik të Ushtrisë. Moti do të jetë me vranësira të ndërrueshme, mesatare deri në të dendura. Në zonën verilindore parashikohet prani e mjegullës, e shoqëruar me reshje lokale shiu, me intensitet jo të lartë. Ndërsa në lartësinë mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit parashikohen reshje dëborë.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga periferia e fushës barike të presionit të lartë dhe qarkullimi i një mase ajrore relativisht të paqëndrueshme. Do të vazhdojë mot i lagët dhe relativisht i ftohtë. Ndërsa ditën e shtunën moti do të jetë i alternuar me vranësira dhe kthjellime.
TEMPERATURAT SOT
Tirana 4 dhe 13
Shkodër 1 dhe 5
Durrës 4 dhe 13
Lezhë 2 dhe 9
Kuçovë 4 dhe 13
Gjirokastër 4 dhe 8
Elbasan 3 dhe 10
Kukës -5 dhe -1
Peshkopi - 5 dhe -2
Korçë -3 dhe 3
Vlorë 4 dhe 13
Sarandë 4 dhe 13
8 Janar 2009