Investimet për 2009-n, rruga Durrës-Kukës rrëmben sërish 80 për qind të fondeve
Ervin Koçi
Rruga Durrës-Kukës mbetet gropa e zezë për buxhetin e shtetit. Edhe këtë vit që sapo kemi nisur ky projekt do të ketë pjesën e “luanit” në investimet e parashikuara. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, për rrugën Durrës-Kukës në buxhetin 2009 do të akordohen 30 miliardë lekë fonde ose mbi 250 milionë euro. Kjo shumë zë mbi 80 për qind të totalit të investimeve të parashikuara për infrastrukturën rrugore. Kështu, në buxhetin e vitit 2009 parashikohet që në total investimet për të gjitha ministritë të arrijnë në mbi 90 miliardë lekë nga të cilat 57 miliardë lekë do t’i akordohen Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Ky dikaster do të përdorë për investimet në rrugë një shumë prej 47 miliardë lekësh, nga të cilat, po sipas pasqyrës zyrtare të investimeve, rreth 30 miliardë lekë do të shkojnë vetëm për autostradën që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën. Gjatë diskutimeve të projektbuxhetit vitin e kaluar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, opozita kundërshtoi ashpër koston e lartë të rrugës dhe buxhetin e parashikuar për të në buxhetin e vitit 2009. Por ndërkohë rruga Durrës-Kukës pritet të marrë edhe pjesën më të madhe të parave që qeveria shqiptare pret të marrë këtë vit në formë kredie nga bankat tregtare, për të cilën ka nisur dhe një aplikim zyrtar për të kërkuar borxh. Pikërisht ky borxh mendohet të shkojë deri në 250 milionë euro, për të cilat qeveria ka sqaruar se do t’i përdorë për shpenzime operative, por jashtë tyre nuk do të lërë as pjesën që do të alokojë për “mega-investimin” Durrës-Kukës.
Kostoja e rrugës
Deri tani, qeveria nuk ka dhënë një kosto reale për rrugën Durrës-Kukës, por rreth katër muaj më parë ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se, “ky projekt do të kushtojë sa 8 për qind e GDP-së”, ekuivalent me një shumë prej 750 milionë euro. Rruga, sipas parashikimeve të qeverisë, synohet të përfundojë në mes të këtij viti, madje edhe përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Por duke parë intensitetin e punimeve dhe vlerën që po zë kjo rrugë, një afat i tillë përfundimi konsiderohet prej ekspertëve të fushës si i pamundur. Ky është edhe projekti më i kushtueshëm në të gjithë infrastrukturën rrugore në Shqipëri deri sot. Vetëm gjatë pjesës së parë të vitit 2008, për rrugën Durrës-Kukës nga buxheti i shtetit u akorduan 1.9 miliardë lekë. Ndërkohë që financimet e huaja për këtë projekt kapin vlerën e 13.3 miliardë lekëve. Ndërkohë në aktin normativ të miratuar gjatë vitit 2008 në Komisionin e Ekonomisë, qeveria parashikonte që të kalonte edhe rreth 150 milionë euro të ardhura nga privatizimet për vitin 2009 dhe për këtë rrugë. Këto të ardhura janë realizuar kryesisht nga privatizimi i kompanive “ARMO” dhe “INSIG”.
Projektet e reja
Pas autostradës Durrës-Kukës-Morinë, që ende s'ka përfunduar, qeveria shqiptare shpalli në fund të vitit 2008 edhe një tjetër projekt të ngjashëm me atë në Veri, por këtë radhë për Jugun e vendit. Në njërën prej mbledhjeve të fundit të Komitetit të Politikave të Strategjisë, kryeministri Sali Berisha shpalli tenderin për një projekt gjigant në Jug të vendit. Berisha tha se qeveria, do t'i kushtojë vëmendje të veçantë Jugut duke ndërtuar një aks shumë të rëndësishëm rrugor. Bëhet fjalë për aksin Tiranë-Berat-Tepelenë, për të cilin kryeministri ka thënë se do të zëvendësojë aksin Durrës-Morinë. Sipas Berishës, “qeveria ka në dorë paratë e duhura për të financuar vetë këtë projekt”. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Transporteve hapjen e menjëhershme të tenderit për projektin e ndërtimit të boshtit të Jugut, duke theksuar se për këtë projekt nuk mund të priten financimet e partnerëve ndërkombëtarë, por do të financohet nga buxheti i shtetit.
Aksi i Jugut, kostoja llogaritet në 1 miliard euro
Kryeministri Berisha ka deklaruar se fizibiliteti i boshtit të Jugut është tërësisht i justifikuar, pasi në këtë zonë të vendit janë tri pika kufitare, Qafëbotë, Kakavijë dhe Tri Urat, pika që përbëjnë një fluks të madh komunikimi me Greqinë, një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Gjithashtu, ai ka nënvizuar se, “për ndërtimin e këtij boshti do të zgjidhet distanca më e shkurtër Tiranë-Memaliaj dhe kjo direktivë duhet të zbatohet me shpejtësinë më të madhe”. Projekti llogaritet që të kapë një kosto prej 1 miliard eurosh dhe do të kërkojë që në vitet në vazhdim pjesa më e madhe e fondeve që destinohen për investime të kanalizohen në këtë bosht rrugor. Ngritja e një autostrade të standardeve të larta në Jugun e vendit është një nga mundësitë më të mira për të zhvilluar aktivitetin ekonomik të integruar.
8 Janar 2009