“Defektet në zemër, ekzaminim me telemjekësi që në shtatzëni”
Mjaft nga keqformimet në zemër mund të identifikohen që gjatë shtatzënisë, përmes telemjekësisë, që është vendosur së fundmi pranë spitalit Obstretik Gjinekologjik “Koço Glozheni” në Tiranë. Shefi i repartit të Kardiokirurgjisë Pediatrike në spitalin G. Pasquinucci në Massa Carrara të Italisë, dr. Bruno Murzi, ka shpjeguar në një intervistë për “Panorama” mënyrën se si po funksionon telemjekësia e instaluar në maternitetin “Koço Glozheni”. Sipas Murzit, mbasi gjinekologët e spitalit “Glozheni” të kenë dyshimin e ndonjë diagnoze të kardiopatisë së lindur të fetusit, ata do të mundin të lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me Qendrën në Massa, ku kardiologët pediatër, ekspertë në sektorin e kardiopative të lindura të fetusit, do ta rishikojnë së bashku me ta analizën e kryer dhe do të vërtetojnë diagnozën. Sot, në ambientet e maternitetit do të paraqitet publikisht edhe lidhja direkte me aparaturën e re.
Prej disa muajsh, spitali i drejtuar nga Ju, Shoqata “Një zemër, një botë” dhe Fondacioni G. Monasterio, kanë nënshkruar një Protokoll Bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë. Mund të na shpjegoni se ku konsiston kjo marrëveshje?
Bashkëpunimi konsiston në një projekt asistence për nënën dhe të porsalindurin. Shumë prej kardiopative të lindura dhe keqformimeve të fetusit mund të diagnostikohen gjatë shtatzënisë. Projekti ynë i bashkëpunimit parashikon pikërisht mundësinë e kryerjes së diagnozave të parakohshme të keqformimit të fetusit. Kjo do të bënte të mundur që të lindin fëmijët e prekur nga keqformime të tilla pranë spitaleve (si spitali “Glozheni”) që janë në gjendje të kujdesen për këta të porsalindur. Bashkëpunimi me Profesoreshën Moisu dhe me gjinekologët e spitalit “Glozheni” ka si synim pikërisht që ta bëjë praktikën e ekokardiografisë së fetusit, një procedurë të standardizuar dhe të zakonshme.
Më konkretisht, si do të funksionojë, në një rast të aplikimit të Telemjekësisë, të instaluar pranë Spitalit Obstetrik Gjine-kologjik?
Mbasi gjinekologët e spitalit “Glozheni” të kenë dyshimin e ndonjë diagnoze të kardiopatisë së lindur të fetusit, ata do të mundin të lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me Qendrën tonë, ku kardiologët pediatër, ekspertë në sektorin e kardiopative të lindura të fetusit, do ta rishikojnë së bashku me ta analizën e kryer dhe do të vërtetojnë diagnozën. Javën e shkuar u krye një telekonsultë ndërmjet Qendrës sonë dhe Profesoreshës Moisiu, të spitalit “Glozheni”, pikërisht për një fetus me një aritmi. Mbas konsultës u vendos që të lindë fetusi për të filluar trajtimin e tij mjekësor. Tani nëna dhe fëmija janë mirë.
Keni parashikuar ndërhyrje në Shqipëri, së bashku me kolegët shqiptarë, në raste të ndryshme të patologjive kardiake?
Qëllimi ynë është që të mund të bashkëpunojmë gjithmonë e më shumë me kolegët kardiokirurgë dhe kardiologë pediatër të Tiranës. Si me dr. Refetllarin (shefi i repartit të kardiokirurgjisë), ashtu edhe me dr.Baboçin ( kardiokirurg pediatrik), ekziston një marrëdhënie e konsoliduar miqësie dhe vlerësimi të ndërsjelltë. Mbasi të ketë filluar plotësisht projekti ynë i përbashkët, mendojmë se do të jetë e mundur që të operohen, së bashku me ta, këtu në Tiranë, shumë prej të porsalindurve me diagnozë të kardiopatisë së lindur.
Gjatë viteve të fundit Ju keni kuruar shumë fëmijë shqiptarë në Massa Carrara. Mendoni se Tele-mjekësia do të mundë të parandalojë shtimin e numrit të fëmijëve që do të kenë nevojë për ndërhyrje?
Mendoj se me Telemjekësinë do të jetë e mundur të rritet aftësia e përgjigjes nga ana e sistemit shëndetësor shqiptar në këtë sektor të veçantë të kirurgjisë pediatrike. Do të jetë e mundur që të kryhen diagnoza, konsultime, telekonferenca për trajnime dhe, mbi të gjitha, për të mbajtur gjithmonë e më shumë marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit me kolegët tanë shqiptarë. Qëllimi ynë është që të kontribuojmë në zhvillimin e mjekësisë pediatrike dhe urojmë, madje jemi të sigurt, duke njohur aftësinë e kolegëve tanë shqiptarë, se brenda një kohe të shkurtër nuk do të jetë më e nevojshme mbështetja jonë.
Në bashkëpunim me strukturat tuaja, është themeluar në Tiranë qendra “Në botë për një zemër”. Sipas jush, kjo qendër do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të projektit tuaj në ndihmë të fëmijëve shqiptarë, edhe në të ardhmen, pranë spitalit tuaj?
Shoqata “Një botë për një zemër” dhe Shoqata në Itali, në Qendrën tonë, merret me dhënien e ndihmës për fëmijët italianë dhe të huaj që vijnë për t’u operuar te ne. Shoqata përbëhet nga vullnetarë dhe shumë prej tyre janë të afërmit e fëmijëve të operuar më përpara. Fakti që edhe në Tiranë është krijuar një shoqatë e tillë është një element i një rëndësie të veçantë. Në fakt vullnetarët që bëjnë pjesë në shoqatë i janë kushtuar krejtësisht ndihmës së familjeve që kanë fëmijë me kardiopati të lindura dhe që duhet të operohen. Fakti që kemi edhe këtu në Shqipëri njerëz që ia kushtojnë një pjesë të kohës së tyre ndihmës së familjeve në nevojë dhe fëmijëve kardiopatikë, përfaqëson një motiv rritjeje shoqërore dhe kulturore dhe, në të njëjtën kohë, është një ndihmë serioze për kë ka nevojë të operohet. Shpresoj se shumë prej prindërve të fëmijëve që ne kemi operuar në Itali, të vendosin të bëjnë pjesë në shoqatën shqiptare “Një botë për një zemër” dhe të garantojnë kontributin e tyre. Kush ka vuajtur e di se çfarë do të thotë të kesh një fëmijë kardiopatik që duhet të operohet.