E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, kërcënohet deputeti socialist



VLORE/ QEMAL BIRAKU

Kërcënim me lëndë shpërthyese deputetit dhe kreut të PS-së së Vlorës, Eltar Deda. Bidonët e mbushur me benzinë, një prej të cilëve i lidhur me fitil dhe një detonator, u zbuluan në makinën e Dedës mëngjesin e djeshëm.
“është një provokim i hapur për shkak të detyrës, si pasojë e situatës së acaruar politike”, u shpreh Eltar Deda në lidhje me shkaqet e ngjarjes.
Siç ka pohuar dhe në polici, ai ka dalë mëngjesin e djeshëm, si zakonisht, për të çuar djalin 11-vjeçar në shkollë. Deda ka zbritur nga pallati ku jeton, në lagjen “29 nëntori”, rreth orës 07:45. Kur i është afruar makinës ka parë se mbi kofanon e makinës së tij, “Volkswagen” Jetta, ndodhej një bidon 3-litërsh plastik. E ka hapur tapën e bidonit dhe nga era ka kuptuar se ishte i mbushur me benzinë. Duke e menduar se e kishte lënë dikush rastësisht, Deda e ka hequr bidonin, duke e lënë matanë në rrugë e ka hipur brenda makinës, ndërsa në krahun e pasagjerit u ul i biri. Pasi ka ecur rreth 3 metra nga vendi i parkimit, një fqinj i lagjes i ka bërë shenjë për t’u ndalur, se diçka kishte parë poshtë makinës. Vetë fqinji ka nxituar dhe duke parandjerë një gjë të keqe ka hapur derën e makinës, duke nxjerrë prej andej djalin e Eltar Dedës. Sipas dëshmisë së kreut lokal të PS-së, poshtë mjetit ndodhej një shishe 1.5 litërshe, e mbushur dhe ajo me të njëjtën lëndë, si e para, benzinë. Por, ndryshe nga bidoni mbi kofano, shishja e dytë ishte e mbështjellë me një leckë të bardhë si dhe e lidhur me një fitil rreth 2 metra të gjatë. Në fund të tij ndodhej një objekt, i cili nga pamja e parë të linte të dyshoje për një detonator. Me shpejtësi, Deda ka ngjitur në shtëpi të birin dhe ka njoftuar policinë. Vetë drejtori i policisë së Vlorës, Ylli Metko dhe ekspertë të shumtë kanë mbërritur në vend, për të ekzaminuar materialet shpërthyese. Ata kanë bërë ndarjen e benzinës nga fitili e detonatori, kanë këqyrur makinën, duke gjetur shenja të shumta gishtash në to. Materialet janë nisur drejt Laboratorit Kriminalistik, si provat kyçe për t’i çuar drejt autorit.
Vetë deputeti i Vlorës reagoi dje, duke thënë se nuk kishte pasur asnjë incident të mëparshëm, duke e quajtur vendosjen e bidonave me lëndë shpërthyese si akt të pastër presioni politik për shkak të detyrave që mban. “Unë nuk kam pasur asnjë problem apo kërcënim më parë nga askush. Sipas meje, ky është një presion që bëhet për shkak të detyrës politike, për shkak të acarimit të politikës kohët e fundit”, u shpreh Deda. Policia e Vlorës pohoi se po merret me verifikimin e të dhënave të mbledhura, ndonëse deri tani nuk ka një pistë apo persona të dyshuar. Brenda dy javësh ky është atentati i dytë që u ndodh përfaqësuesve të Partisë Socialiste në rrethin e Vlorës.

Vlorë, si u plagos këshilltari socialist
Nuk janë mbushur 2 javë nga shpërthimi i eksplozivit në makinën e Morand Hoxhës, këshilltarit socialist në Bashkinë e Vlorës. Shpërthimi u realizua me telekomandë, duke përdorur tritol të tipit C4. Vetë Hoxha, pas daljes nga gjendja e rrezikut për jetën, deklaroi për policinë se nuk kishte pasur ndonjë konflikt me njeri, duke mos i vënë gishtin askujt si autor. Nga ana e saj, Policia e Vlorës rrëzoi pistën se shpërthimi të ketë ardhur për motive politike, ndonëse deri tani nuk ka asnjë të ndaluar apo të dyshuar konkret. Hetuesit kërkuan kohë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, që desh i mori jetën 38-vjeçarit Hoxha. Gjatë qëndrimit në spital, ai u mbajt nën vëzhgimin e rreptë të policisë, duke mos bërë asnjë deklaratë për median mbi atentatin që i ndodhi. Hetimet vazhdojnë ende, por nuk ka një motiv mbi shkaqet e shpërthimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›