E Diel, 1 Nëntor 2026

Defektet për kompjuterat, s’ka pasaporta biometrike

Lezhë - Muaji korrik ka nisur me probleme të shumta për sa i përket aplikimeve për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Kanë nisur të kthehen emigrantët e parë dhe në këto ditë pritet të rritet fluksi i aplikimeve për këto dokumente, por ndodh që të mos funksionojnë zyrat për shkak të defekteve në kompjutera. Pak ditë më parë ishte ngritur ky shqetësim për mosfunksionimin e zyrës së aplikimit pranë gjendjes civile të Bashkisë Lezhë. Si rezultat i një defekti në kompjuter që të mërkurën nuk është bërë asnjë aplikim, pritej që të vinin specialistët nga firma që ka marrë përsipër misionin e pajisjeve të qytetarëve shqiptarë me dokumentet identifikuese, por që në fakt ky defekt nuk është riparuar ende as këtë të hënë. Por mësohet se edhe në një tjetër zyrë nuk po bëhen aplikime në Balldre, pasi jashtë kamerave aplikuesit që ishin drejtuar Shëngjinit, u shprehen se edhe atje kishte një defekt. Personat e interesuar janë sorollatur gjatë këtyre ditëve nga njëra zyrë në tjetrën dhe më pas u janë drejtuar zyrave në Shëngjin dhe Shënkoll. Vështirësitë më të mëdha vazhdojnë të jenë për ata persona të cilët kanë dashur të aplikojnë pasaporta me procedura të përshpejtuara, pasi kjo është e vetmja zyrë që u shërben qytetarëve të gjithë qarkut të Lezhës, dhe këtyre personave u është dashur që t’i drejtohen Shkodrës ose Tiranës. Krahas defekteve, periudha e korrikut shoqërohet edhe me marrjen e lejeve nga nëpunësit e zyrave të aplikimit, kështu që edhe këto zyra funksionojnë me orare të reduktuara paradite në një zyrë dhe pasdite në një tjetër. Në Shëngjin është shtuar ndjeshëm fluksi i aplikuesve, por shpesh krijoheshin probleme për shkak të ndërprerjeve të herëpashershme të energjisë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›