I vë gjobë biznesmenit, kapet autori
DURRËS- Një 28-vjeçar nga qyteti i Durrësit i ka vënë gjobë një biznesmeni të këtij qyteti, pasi ky i fundit i kishte shitur goma të përdorura dhe jo të reja ashtu si i kishte kërkuar i riu. Por kaq ka mjaftuar që Artur Tarja të hakmerrej ndaj biznesmenit me inicialet N.B, i cili merrej me tregtimin e gomave dhe ka vendosur që ti vërë atij gjobë një shumë që ishte i barabartë me dëmin që i kishte shkaktuar 28-vjeçarit. E ndërsa kërcënimi mes të dyve kishte kohë që kishte nisur atëherë biznesmeni vendos që të denoncojë rastin e kërcënimit dhe dërkohë uniformat blu të policisë së Durrësit bënë të mundur dhe hartimin e planit për arrestimit të tij.
Struktura Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë Durrës, ditën e djeshme realizoi kapjen në flagrancë të një shtetasi gjatë kohës kur po tërhiqte një shumë parash, të cilën ia kishte përcaktuar në formë “gjobe” një banori të Durrësit. Sipas burimeve nga policia e Durrësit mësohet se dy ditë më parë, rreth ora 14.30, u bë arrestimi ne flagrance i shtetasit Artur Tarja, 28 vjec, banues ne Durrës.
Sipas të njëjtave burime mësohet se 28-vjeçari, rreth orës 10.00, në lagjen Nr. 5 Durrës, është kapur në flagrancë në kushtet kur po i dorëzohej shuma prej 2 milionë lekësh, për përfitimin e së cilës kishte shtrënguar me anë te kanosjes e dhunës shtetasin N.B., 49 vjeç, banues në Durrës. Uniformat blu bëjnë me dije se Tarja kishte përcaktuar vendin dhe orën e takimit, ku do të merrte paratë e kërkuara biznesmenit, por plani ka dështuar pasi biznesmeni ka denoncuar gjithë ngjarjen. Arrestimi i Tarjas ndodhi në momentin e dorëzimit të parave. në lagjen numër 5 të qytetit bregdetar, vend ku do të kryhej marrja e parave nga ana e 28-vjecarit. Ndërkohë mësohet se materialet proceduriale për veprën penale të shtrëngimit me ane te kanosjes ose dhunës për dhënien pasurie iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Krimeve te Renda Tirane.
A.K.