E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekti, 10 mijë policëve u anulohet distinktivi

 

Trazhgim Sokolaj

Policia e Shtetit vendosi të prodhojë edhe njëherë nga e para distinktivët e 10.800 efektivave të saj, pas një gabimi në prodhimin e dokumenteve aktuale të identifikimit. Pak kohë më parë strukturat qendrore të Policisë së Shtetit përfunduan shpërndarjen e dokumenteve të identifikimit për efektivat e rendit. Por, ndërsa kishin vetëm pak ditë që ishin pajisur me këto dokumente, punonjësit e policisë janë lajmëruar se duhet t’i dorëzojnë edhe njëherë ato, për shkak se gjatë prodhimit ka ndodhur një defekt teknik. Pas këtij urdhri për mbledhjen e kartave është vendosur që distinktivët të merren në dorëzim në bazë të rajoneve, komisariateve dhe drejtorive të policisë, për t’u rikthyer edhe njëherë në qendër. Sipas burimeve zyrtare, menjëherë pasi është kuptuar gabimi në prodhimin e parë të dokumenteve, është vendosur që ato të mblidhen nga të gjithë efektivat e policisë dhe të asgjësohen. E njëjta urdhëresë parashikon se pas anulimit të dokumentit të parë, i cili u ishte shpërndarë punonjësve të policisë, do të prodhohet tashmë një dokument i dytë, pa defekte, i cili do të rishpërndahet për 10.800 efektivat e rendit në të gjithë vendin.
Gabimi teknik
Pak muaj më parë, efektivat e policisë në të gjithë vendin morën në dorëzim dokumentet e identifikimit si punonjës të strukturave të rendit. Dokumenti është i ngjashëm me kartat e identitetit, por ka disa specifika, si stema e Policisë së Shtetit, fotografia e personit, grada që ai mban në polici dhe të dhëna të tjera. Dokumenti u prodhua siç mësohet nga burime të policisë, me anë të tenderit nga një firmë e specializuar në këtë fushë. Ky subjekt pasi fitoi tenderin prodhoi distinktivët e policisë, të cilët më pas u shpërndanë te drejtoritë, komisariatet dhe në rajonet e policisë dhe më pas iu dhanë efektivave për t’i përdorur në detyrat e zakonshme. Por vetëm pak kohë pasi dokumenti është shpërndarë për efektivat e policisë, është mësuar se në fakt ishte bërë një defekt teknik gjatë prodhimit të distinktivit. Disa punonjës policie janë ankuar madje se cilësia e dokumentit të parë nuk ka qenë e mirë, për shkak se informacioni dhe stemat ishin fshirë brenda pak kohëve nga fillimi i përdorimit të kartave të policisë. Pasi janë mbledhur ankesat, policia ka vendosur të tërheqë dokumentin e parë. Krerët e drejtorive të policisë në rrethe dhe më tej sipas nivelit, në komisariate dhe në rajonet e policisë është vendosur të mblidhen dokumentet e shpërndara vetëm pak kohë më parë. Sipas burimeve të policisë, një pjesë e mirë e kartave janë mbledhur, ndërsa parashikohet inventarizimi dhe më pas asgjësimi i tyre, me qëllim shmangien e përdorimit të dyfishtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›