E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë, të burgosurit:S‘kemi drita prej 3 ditësh

 

Fatos Mahmutaj

“Terr” në burgun e Fushë-Krujës, prej tri ditësh mungon energjia elektrike. Lajmi konfirmohet nga vetë të dënuarit në këtë institucion, sipas të cilëve, edhe kur energjia elektrike vjen në mbrëmje është e pamjaftueshme për të furnizuar të paktën frigoriferët e tyre ku mbajnë ushqimet. Po kështu lajmi konfirmohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, sipas të cilave shkaku i ndërprerjes së energjisë elektrike në këtë burg është fakti se institucioni furnizohet në të njëjtën linjë me qytetin dhe se qyteti i nënshtrohet kufizimeve gjatë ditës. Sipas të burgosurve, mungesa e energjisë elektrike në burg ka filluar katër ditë më parë, në kohën kur u ulën temperaturat e motit dhe siç duket u rritën nevojat e qytetarëve për energji elektrike. Kjo ka sjellë edhe kufizimet në furnizimin me energji, ku këtyre masave nuk i ka shpëtuar as burgu i Fushë-Krujës. Të dënuarit e kontaktuar dje pohuan se prej tri ditësh në mjediset e këtij burgu mungonte energjia elektrike gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje kur ka energji elektrike ajo është e dobët, aq sa me të nuk arrijnë të furnizohen as frigoriferët që të dënuarit kanë nëpër qeli për të mbajtur ushqimet. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohoi dje se shkak për energjinë e paktë që shkon në burgun e Fushë-Krujës, është fakti se ky institucion ndodhet i fundit në linjën që furnizon qytetin, çka sjell si pasojë përgjysmimin e sasisë së energjisë elektrike që mbërrin atje. Të dënuarit e kontaktuar pohuan se, megjithëse ditët e fundit janë karakterizuar nga një mot i ftohtë dhe me temperatura të ulëta që natën shkojnë edhe afër “0”, ka qenë e pamundur ngrohja e qelive. Të dënuarit pohuan se e vetmja mënyrë për t’u ngrohur ishin batanijet dhe qëndrimi në krevat gjatë gjithë kohës, ku nga kjo monotoni mund të dilnin vetëm gjatë dy orëve që kalonin në ambientet e ajrimit. Ata pohuan dje se problemi më i mprehtë për ta ishin frigoriferët e ushqimeve, pasi pjesa më e madhe e tyre preferonin ushqimet që u dërgonin familjarët dhe se asnjëherë nuk kanë marrë ushqimin që shpërndan institucioni i vuajtjes së dënimit. Po kështu problem tjetër që vinte nga mungesa e energjisë elektrike, sipas tyre ishte dhe “terri informativ”, si pasojë e mosfunksionimit të televizorëve dhe mjeteve të tjera të informimit elektronik. Të dënuarit thanë gjithashtu se ndjekja e ndeshjeve të futbollit, edicionet e lajmeve televizive apo programeve të tjera argëtuese u merrte një pjesë të konsiderueshme të kohës së qëndrimit në qeli.

Korçë, grevë për ndeshjet e futbollit

KORÇË - Grevë urie për të ndjekur ndeshjet e futbollit në televizor në mënyrë të organizuar. Motivi i pazakontë i grevës është firmosur nga VIP-at e krimit që ndodhen duke vuajtur dënimet në sigurinë e lartë të burgut të Korçës. Rreth 50 bashkëvuajtës u janë bashkuar në këtë formë proteste VIP-ave të krimit Eldon Hima, Eduard Ymeri, Pelivan Latollari, Petrit Verri, Artur Gora dhe Fatmir Emini, i njohur si Mile Çami i Fierit, duke nxituar të firmosnin deklaratat e nisjes së grevës së urisë, por brenda dy ditësh, njëri pas tjetrit, të gjithë grevistët e kishin lënë grevën duke iu rikthyer ushqimeve që kishin në qeli. Burime nga burgu i Korçës pohuan se, tashmë në sekretarinë e këtij institucioni kishin mbetur vetëm deklaratat e grevës, të plotësuara nga të dënuarit, ndërsa nëpër qeli ishte rikthyer normaliteti. Gjashtë organizatorët e grevës së urisë ishin transferuar pak javë më parë nga burgu i Peqinit për në Korçë, për shkak të rikonstruksionit të institucionit.                                                                   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›