E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një 15-vjeçar akuzohet për vrasjen e vëllait

 

TIRANE – Një 15-vjeçar dërgohet i pandehur në Gjykatën e Tiranës me akuzën se ka vrarë vëllain e tij. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, grupi i hetimor përfundoi veprimet me dosjen penale ndaj shtetasit të mitur Granit Marku, i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij. Dosja penale me provat për vrasjen e shtetasit Alfred Marku është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, ku pritet të fillojë procesi gjyqësor. Ngjarja ndodhi disa muaj më parë në Laknas të Tiranës, kur 15-vjeçari Granit Marku ka vrarë me thikë vëllain e tij Alfred Marku. Sipas deklarimeve të dhëna nga i mituri, gjatë hetimeve paraprake për vrasjen, 15-vjeçari kishte përdorur thikën me qëllimin për të trembur vëllain e tij. Granit Marku ka treguar se në kohën kur ka ndodhur krimi, i kishte kërkuar nënës së tij 500 lekë. Sipas dëshmisë së 15-vjeçarit, nëna nuk ia kishte dhënë paratë dhe për këtë i mituri ka reaguar keq. “Vëllai i madh, Alfredi, më kapi nga fyti. Unë mora një thikë për ta trembur, e qëllova pak dhe pastaj ika me vrap që të mos më bërtisnin prindërit”, ka thënë 15-vjeçari gjatë deklarimeve të dhëna për prokurorinë. I mituri është hetuar në gjendjen e arrestit me burg, pavarësisht deklarimeve të tij se vrasja kishte ndodhur nga pakujdesia. Ngjarja ndodhi në mars 2009 në Laknas, pasi 15-vjeçari pati një mosmarrëveshje me nënën e tij. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria ka rezultuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:30 të 9 marsit 2009, në banesën e familjes Marku në Laknas të Tiranës. Granit Marku, 15 vjeç, pasi nuk ka marrë shumën e lekëve prej 500 lekësh nga prindërit e tij ka nisur të shajë në shtëpi dhe të kërcënojë. Vëllai i madh, Alfredi, 23 vjeç, ka ndërhyrë për të shuar grindjen, por ndërhyrja e tij e ka acaruar 15-vjeçarin. Ky i fundit ka marrë një thikë dhe ka qëlluar vëllain, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›