E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja e 40 kileve heroinë, akuza “ngrin” kompleksin “Kështjella”

 

TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda miratoi kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e sekuestros preventive mbi kompleksin “Kështjella” në Fier, në pronësi të shtetasit Zaim Tafa, i arrestuar disa muaj më parë në çështjen penale të trafikimit të 40 kileve heroinë nga dy shtetas gjermanë. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme pohuan se Krimet e Rënda, të cilat po ndjekin penalisht në gjendje të lirë biznesmenin Zaim Tafa, pas lirimit të tij nga Gjykata e Lartë, kanë kërkuar vendosjen e sekuestros preventive mbi kompleksin “Kështjella” në Fier. Kërkesa e Prokurorisë mësohet se është bazuar në nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton objektet e sekuestros së përkohshme. Vendimi është marrë ditët e fundit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa ende nuk është e qartë nëse është zbatuar konkretisht në terren. Kjo për shkak se strukturat që zbatojnë vendimin janë të tjera nga gjykata dhe prokuroria. Kjo e fundit tha se qëllimi i bllokimit të kompleksit të njohur është “ngrirja” e objektit, në mënyrë që kjo pronë të mos shitet, tjetërsohet apo transformohet deri në përfundim të hetimit dhe të gjykimit ndaj pronarit të saj Zaim Tafa. Ky i fundit u arrestua më 2 maj 2009 me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda gjatë aksionit të koduar me emrin “Kështjella”. Në këtë aksion u arrestuan edhe tre persona të tjerë të akuzuar për role të ndryshme në trafikimin nga Gjermania për në Shqipëri, me qëllim kalimin nga Greqia deri në Itali të ngarkesës me 40 kilogramë heroinë. Biznesmeni ra në pranga në të njëjtën ditë kur policia arrestoi në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, dy shtetasit gjermanë Franc e Rexhina Kiacek. Këta të fundit mbanin në makinën e tyre, me të cilën po udhëtonin për në Greqi, një sasi prej 40 kilogramë heroinë të pastër. Për llogari të këtij aksioni, Prokuroria në bazë të provave të saj urdhëroi arrestimin e biznesmenit Zaim Tafa, ndërsa gjermani i tretë i implikuar në këtë linjë trafiku u arrestua në Rinas, duke tentuar largimin nga Shqipëria po më 2 maj 2009. Zaim Tafa u arrestua bashkë me shtetasin Alban Pëllumbi, pasi sipas Prokurorisë dy biznesmenët fierakë ishin të implikuar në çështjen e trafikut të ngarkesës me heroinë. Ata i kanë mohuar akuzat e bëra ndaj tyre gjatë seancave në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit, duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me drogën.               tr.so 

Gjykata e Lartë liroi biznesmenin
TIRANE – Biznesmeni Zaim Tafa, i cili u mbajt në arrest me burg për dy muaj, u la i lirë nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit vendosi në korrik 2009 të prishë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj biznesmenit, duke urdhëruar hetimin dhe gjykimin e tij në një masë më të lehtë sigurie. Sipas vendimit të togave të zeza të Gjykatës së Lartë, lirimi i të arrestuarit Zaim Tafa është bërë me argumentin se organi i akuzës nuk ka prova për përfshirjen e tij në linjën e trafikut të heroinës për të cilën zhvillohen hetimet. Pas ndryshimit të masës së sigurimit personal, Prokuroria vazhdoi hetimet, ndërsa edhe dy gjermanët e arrestuar kërkuan ndryshimin e masës së sigurimit. Dy personat e arrestuar me drogë pretenduan se nuk kanë pasur dijeni për lëndën narkotike në automjetin e tyre, megjithatë gjykata vendosi t’i mbajë në arrest me burg deri në përfundim të hetimeve dhe të gjykimit për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›