E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diana Rakipi - Gruaja që e thërrasin zotëri

 

Anila mema

Herë e thërrasin zonjë, herë lale, shefe, e herë zotni... Në të vërtetë po ta shohësh në pamje të parë, të veshur me këmbale të gjata deri te gjuri, pantallona lëkure të blera në Gjermani, këmishë ngjyrë violë, kravatë e pulovër të zezë, beretë në kokë, e një xhaketë me xhepa shumë, vështirë të dallosh gjininë. Nëse ndodh të ngrejë syzet e errëta, e të shpalosen para teje sytë bojë-qielli që herë marrin blu të theksuar, herë jeshil me pikëza kafe, do ndjesh një lloj dyzimi. Sakaq edhe nëse ke folur në telefon, fatmirësisht apo fatkeqësisht, një zë i trashë të përgjigjet përtej receptorit. Ama, mbi të gjitha ajo çka të vë në mëdyshje mbi të gjitha këto është emri.
Quhet Diana. Rakipi e ka mbiemrin. Me prindër vlonjatë e gjakovarë, vetë ka lindur në Tropojë e gjithë jetën ka jetuar në Durrës, buzë detit... Eshtë e gjatë 1,78 cm me numrin e këmbës 41-sh. Është 55 vjeçe, por ka trupin e një atleteje, 72 kg peshon. Është security, ndërkaq është fotografe, piktore, peshkatare, boksiere, futbolliste e basketbolliste...por mbi të gjitha është një Burrneshë!
Rreth 40 vjet më parë vendosi të bëjë një betim ndër vete: nga një vajzë e bukur, me flokët e gjatë, kaçurrelë të gështenjtë, që i vareshin pas shpine, të kthehej në një çun. Mos mendoni se kaloi ylberin! Jo! Thjeshtë u betua se nuk do të vishte asnjëherë fund a fustan, s’do të mbante reçipeta, se nuk do të puthte, se nuk do të dashurohej me një mashkull, se nuk do të martohej kurrë...
E ndërkaq, në familjen e madhe me nëntë fëmijë, do të zëvendësonte të vetmin, djalin e ndarë nga jeta, pak më të madh se vetë ajo, fëmijë që prindërit e kishin aq shumë për zemër. Do të kthehej në çun, e në fakt edhe fiziku ia lejonte këtë gjë, paçka flokëve të gjatë, sakaq a thua kishte lindur për të qenë çun! Edhe menstruacionet, nuk mundën t’i vinin asnjëherë! E besueshme ose jo, por Diana Rakipi, kështu shprehet. Ndërkaq shoqëria e saj, përbëhej vetëm nga meshkuj. Me ta luante futboll, ‘orthi minorthi’ o lojëra të tilla të asaj kohe, saqë ata që se njihnin thoshin: çfarë djali simpatik!
Ishte 17 vjeç kur brenga e prindërve e vriste në zemër. E sakaq, kreu një betim, heshturazi... Thjesht preu flokët e gjatë, veshi sërish pantallonat, e vazhdoj të luante futboll... Prindërit po heshturazi e miratuan vendimin e saj. Për ta: ajo ishte lindur për të qenë djalë! E në fakt e tillë është sjellë gjithë jetës. Ka punuar çfarëdo, edhe ndërtim, edhe roje, security së fundmi... Ka nga ata që kanë ngrënë edhe ndonjë grusht nga ajo. Ka nga ata që rrugës e shohin çuditshëm, por asaj aq i bën. Është mësuar tashmë. Dhe është e qetë me veten. Në jetë ka shërbyer si një burrneshë e vërtetë, mbase më mirë se vetë burrat!
Cila është familja jote?
Familja ime përbëhet nga nëntë fëmijë. Njëri ka vdekur, lindi para meje. Jemi gjashtë motra e tre vëllezër. Babai quhej Meto, me origjinë nga Vlora, nëna Hajrie nga Gjakova. Unë linda në vitin 1954 në Tropojë, por që prej 1962 jetoj në Durrës. Prindërit vdiqën herët, më kanë lënë të vogël dhe më ka ngel brengë, veçanërisht për nënën, se fjala nënë nuk zëvendësohet. Na kanë rritur me lodhje, mundime, me punë të ndershme, ashtu dhe ne sot vazhdojmë punën tonë...
Fëmija i satë jeni në familje?
Unë isha fëmijë i gjashtë në familje, poshtë vetes kam tre të tjerë. I fundit është lindur në Durrës, të tjerët kush në Shkodër, Vlorë, Tepelenë... Im atë ka qenë oficer me gradën major në kufi, ka qenë student në Bashkimin Sovjetik deri sa doli në pension ka punuar në kufi. Edhe unë kur ishte koha e luftës dhe përgatiteshin vajza për komandante ushtarake, toga, morra pjesë. Bënim kurse tremujore dhe aty u theksua më shumë burrnia ime. Në rreshtore të gjithë më bindeshin, e ndërsa në orë të lirë të punës më thoshin: ti je ajo që na bën zborin?! Kisha një prerje jo të dhunës, por të ligjit dhe me ligjin kam qenë e prerë gjithmonë.
Si keni qenë si fëmijë?
Kam qenë gjithmonë çamarroke. Tip i lëvizshëm, e shkathët...
Kur vendosët të bënit betimin?
Pas vdekjes së vëllait tim, që lindi para meje, prindërit e mi e kanë pasur shumë për zemër atë djalë... Ai ka vdekur në Tropojë, dhe kur linda unë prindërit thanë: ‘na lindi një djalë tjetër’. Jeta ime kështu vazhdoi më vonë. Unë jam rritur në mes të meshkujve, më ka pëlqyer jeta, kam qenë dhe jam shumë rigoroze, shumë kokëfortë për të drejtën, nuk I pranoj dhe nuk jam pre e intrigave dhe shpifjeve dhe kam dashur dhe dua gjithmonë drejtësinë, vuaj për atë që ishalla në një të ardhme të bëhet si ka qenë. Lodhja e tyre, vuajtja më thernin në zemër. Me natyrën si u rrita, me ecurinë e jetës sime, ku rrija më shumë me shok se sa me shoqe, vendosa të bëja betimin: Preva flokët e gjatë…
Sa vjeçe keni qenë atë kohë kur vendosët të bëheshit burrneshë?
Kam qenë 17 vjeçe. Një bukuri e rrallë, një vajzë e gjatë, me flokë kaçurrelë të gjatë, gështenjë që sot shumë më thonë se i ruaj tiparet. Por nuk nisem nga kjo gjë, mbi të gjitha jam qenie e gjallë njerëzore
Dhe si ju shihnin pas moshës 17 vjeçe kur ju u kthyet në burrneshë?
Fjala burrneshë është më tepër nga premtimet e dhëna dhe nga kërkesa e llogarisë së fortë, kjo simbolizon burrninë nga ana e femrës. Të jesh burrneshë sot është e rrallë, sot pak burra ka (të tillë nuk ekzistojnë se janë kthyer në gra dhe kanë frikë nga gratë), kur në të shumtat e rasteve po  të shohësh një statistikë që bie ndesh ndërmjet televizorit, gjykatave gratë bëjnë ligjin ndaj burrave, në konflikte të ndryshme… Atëherë jam rritur me meshkuj, me njerëz të sinqertë që sot mungojnë. Ishte normale.
Si e pritën prindërit dhe familja juaj këtë vendim?
Ishte aprovim i brendshëm i tyre se nuk e besonin dot të kundërtën. Siç jam sot kam qenë dhe atëherë. Unë thjeshtë veprova.
Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me meshkujt, si ju shihnin fillimisht, si reagonin ndaj jush?
Normale. Shokë. Sot rrallëherë gjen shokë. Me meshkujt luaja futboll që në fëmijëri, loznin shtyllash, mes nesh ekzistonte pastërtia, ka qenë një lojë, ‘orthi minorthi’ që sot nuk luhet sepse sot është vështirë, njerëzit janë tjetërsuar, ka hyrë leku në mes... Por ai që ka lekun nuk ka njerzillëkun, them unë.
Keni veshur ndonjëherë fustane, funde, gjatë jetës suaj?
Jo asnjëherë. Unë edhe gjimnazin e kam mbaruar me pantallona të shkurtra, atëherë kur ka qenë koha e fanatizmit, mirëpo më ngatërronin dhe kur bëja ndonjë grindje mes shoqërisë, shkonin i thoshin tim ati: ai djali. Cili djalë pyeste ai se unë këta të tre kam:- ai bukuroshi me sy bojë-qielli thoshin për mua. Jam më lirshëm dhe më thjeshtë me pantallona se me fustan. Dhe kur shkonim atëherë në aksion kur femrave u duhej të visheshin me pantallona thoshin: ua sa mirë qenka me pantallona…sepse nuk mund të hipnin me fustan në makinë…
Herë-herë ndodhin dyshime mes njerëzve, ka nga ata që ju thonë zonjë e të tjerë zotni. Cili është reagimi juaj?
Edhe sot më thonë: ‘o zotni’ dhe unë nuk kam pse t’ua zgjas. Ai që më njeh për zonjë më thotë ‘o lale’. Shefe më thërrasin shumë edhe në Durrës, sepse kam punuar mjaft në portin e Durrësit dhe aty kishte njerëz që më respektonin dhe më thërrisnin ‘o shefe’. Ka dashamirës që ngelen dashamirës.
Cilat kanë qenë punët që ju keni bërë gjatë jetës suaj. Gjithmonë të karakterit burrëror?
Kam punuar gjithandej dhe kudo që punoj e kam për nder. Nuk abuzoj në punën dhe nuk e nënvlerësoj. Çdo lloj pune kam për borxh ta bëj, kam punuar edhe në ndërtim, ku arrita pas tre banesave mora shtëpinë, se më thoshin je beqare nuk të lejohet ty. Por fillimisht kam punuar si radifikatore, pastaj në plastikë, pastaj u merrja me zboret sot me security në Durrës e shërbej në gjendje të lirë dhe të pastër, pa implikime dhe mitmarrje ku në këtë profil pune që ne bëjmë ka dhe njerëz të tjerë që kanë xhelozi, që thurin intriga dhe bëjnë gjëra që s’janë të hijshme për një staf që ne kemi.
Keni dashuruar ndonjë herë në jetë, keni puthur?
Gjithmonë jam dashuruar me natyrën. Nuk ka gjë më të bukur, sepse natyra të jep të papritura, të jep gjëra të mrekullueshme siç është koha sot nuk është nesër dhe atë që kërkon ta gjesh siç është sot nuk e gjen dot më. Ndaj unë mbaj me vete një aparat që fiksoj çdo moment të veçantë të natyrës.
Si e shihni martesën sot. E keni imagjinuar ndonjëherë veten të tillë?
Nuk më pëlqen bashkëjetesa, por edhe martesat e sotme nuk e kanë atë karakterin e mëparshëm. Dikur kishin një farë rregulli, një farë ligji që e bënte vetë njeriu, sot janë pa përgjegjësi njerëzit… më parë nuk njiheshin ndarjet. Mua as më shkon mendja. Sepse u rrita me këtë status, me këtë ndjenjë, atë kohë ekzistonte pastërtia sot nuk ka pastërti. Zor ta gjesh dhe rrallë njerëz të pastër.
Ka kureshtarë që ju shohin çuditshëm. Ju vë në siklet kjo gjë?
Absolutisht. Di t’ia jap përgjigjen kujtdo. Si e do dhe si e meriton.
Sot jetoni vetëm në Durrës?
Po sepse dje kisha prindërit, merresha me ta, sot më mungojnë shumë. Jetoj vetëm!
A njihni burrnesha të tjera?
Po ka në Laç, ka në Fushë-Krujë, Krujë, Shkodër, Tropojë ka dhe jashtë skajeve në Prishtinë, me ato nuk jam takuar… Me këto në Shqipëri po, më e moshuara është në Laç.
Keni hasur ndonjëherë probleme pune, ka ndodhur të mos ju kenë hapur dyert thjesht për shkak të asaj çka keni zgjedhur të jeni?
Ata që janë skeptikë hezitojnë për të bërë pritjen e popullit. Ata që kanë kurajën dhe janë njerëz t’i hapin dyert, të dëgjojnë të presin... Por unë s’kam pasur asnjëherë probleme në punë. Punën e bëj me shpirt dhe pastërti. Dhe këtë punë që bëj dhe sot them se do ta vazhdoj derisa të dalë në pension.
Çfarë ju karakterizon së tepërmi?
Në çfarëdolloj fjale që jap ka burrni, unë nuk bëj pisllëqe, nuk hedh vallen e të tjerëve, por di të vallëzoj vetë pa hile, pa djallëzi. Nuk mbart në vetvete prapaskena. Çfarë kam ta them në sy. Kam pastërti në shpirt, shikoj, dëgjoj dhe shoh punën time. Mos më ngacmo.
Ka ndodhur ndonjëherë të keni gjuajtur dikë më grusht?
Ka pasur raste po. Sepse dy herë të duroj, të tretën jo! D vjet jam marrë me basketboll dhe dy vjet të tjera me boks.
Cili është shoku yt më i mirë?
Duhanin e kam shok dhe shoqe të mrekullueshme, më heq çdo lodhje dhe brengë. E vërteta shumë njerëz i vret, i lë të dyshojnë dhe shumë të tillë nuk e duan të vërtetën. Unë shok të mirë kam duhanin.
Çfarë veshjesh ka në gardërobën tuaj?
Pantallona, xhaketa, kollare, këmisha, jelek, pulovra...
Si i shihni femrat sot?
Janë femra, por pjesa më e madhe e rinisë nuk e kanë vrullin që e kemi pasur ne, shkojnë në pub-e dhe se dinë  dhe as e njohin lodhjen e prindërve...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›