I ngacmoi kushërirën, plagos 18-vjeçarin
TIRANE - Policia e Tiranës për pak sa nuk ka nisur një operacion për të zgjidhur një situatë pengmarrje, kur ka marrë një denoncim nga disa persona, se një adoleshent kishte marrë peng një bashkëmoshatarin e tij. Por fatmirësisht situata është sqaruar shumë shpejt dhe policia e Komisariatit nr.4 ka zbuluar se nuk bëhej fjalë për heqje të paligjshme të lirisë, por një sherr mes dy adoleshentëve, që më pas ka përfunduar me një të plagosur që është shtruar në spital. Burime nga policia e kryeqytetit thanë që konflikti mes një 17-vjeçarit me iniciale A.D. dhe 18-vjeçarit me iniciale A.S. ka nisur sepse ky i fundit i kishte ngacmuar kushërirën A.D-së. Sherri mes tyre ka nisur në një lokal te Bregu i Lumit dhe për të mos rënë në sy të personave dy adoleshentët kanë hipur në makinë dhe kanë shkuar për t’u sqaruar në afërsi të “Oxhakut”. Më pas aty ka nisur përleshja mes tyre dhe 18-vjeçari ka mbetur i plagosur me mjete të forta, por nuk ka preferuar të bëjë denoncim në polici. Autori, pasi është shoqëruar është lënë i lirë.