E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te salloni i Sofisë - Të majtë apo të djathtë

 

MIRA ZOTO

Atë mëngjes të kishte shkuar në mendje që mund të merreshe dhe me politikë. Mund të bëheshe dhe anëtare e re e Parlamentit dhe të jepje një mori intervistash televizive me peshë për çështje nga më të ndryshmet. Ose mund të bëheshe dhe eksperte e arsimit, mbrojtjes apo diçka e tillë. Ndoshta dhe e integrimit pse jo? (Mjafton të mos dish anglisht dhe të mos kesh arsimin e duhur, tani më e mira e të mirave do të ishte që këtë të fundit të mos e kishe fare).
E le të themi thjesht që duhet të ishe…
Mos pandehni se do t’ua rrëfej të gjitha. A s’mund t’i merrni pak vetë me mend gjërat?
Gjithsesi, nuk është vetëm fjala për dëshirën e mirë. Jo, është më tepër se kaq. Që të merresh me politikë duhet të vishesh me rroba të shtrenjta.
Bobo, nëse prindërit e tu e mësonin këtë mund t’iu bjerë pika dhe ti rrezikon të mbetesh jetime…
Po dhe për këtë ia mbyte kot. Ti gjithnjë kishe mbajtur dy llogari, çmimet reale dhe çmimet për mamanë tënde. Për ju që s’e kuptoni është njësoj sikur të hysh në një dyqan që shkruan te dera “malli likuidohet, gjithçka me gjysmë çmimi”. Pas pyetjes së mamasë mjafton vetëm një vështrim dhe gjithçka e pjesëton me dy. Në fillim e ke të vështirë, por me kalimin e kohës ia merr dorën. A nuk bëjnë të gjithë politikanët kështu… (ndoshta në drejtim të kundërt, atyre nuk u funksionon aq mirë pjesëtimi, por vetëm shumëzimi)
Po  ç’janë këto broçkulla që po këput, pse nuk tregohesh e sinqertë dhe të thuash të drejtën se të merreshe me politikë duhet fillimisht të zgjedhësh mes të majtës dhe të djathtës. Me këto mendime ishe në kokë kur mbërrite tek salloni i Sofisë (në parukieri aty ku mësohen të vërtetat e mëdha të Tiranës) dhe i gjete duke bërë fjalë. Sofia ishte ulur në tryezë dhe po shfletonte një katalog, ndërsa një prej klienteve me kokë të lagur po priste radhën.
“Unë thjesht po mundohem të them që duhet të japin një shembull të mirë”, - po thoshte vajza me kokë të lagur.
“Ti je në një mendje me mua. A nuk është kështu e dashur? A nuk mendon se poltikanët, tani që do t’u hiqen makinat, duhet të përdorin mjetet e transportit publik për të lëvizur nga një vend në tjetrin?”
“Eh”-….u përpoqa të tregohesha e matur… “të them të drejtën nuk e kisha dhe aq të qartë këtë paketën e re të qeverisë për t’u hequr deputetëve makinat.”
“Po, po të jenë pa makina, si i dallojnë të djathtët nga të majtët?”- pyete gati me zë të lartë. Hera e fundit që kishe dëgjuar të flitej për këtë argument ishte fushata elektorale dhe aty “flitej përtej të djathtës dhe të majtës”.
“A t’ju bëj një kafe”,- pyeti vajza brune, që duket se kishte ardhur aty për të të nxjerrë nga situata.
“Nëse do të dish mendimin tim, kjo puna e të majtëve dhe të djathtëve është marrëzi fund e krye”, - po thoshte klientja me kokë të lagur që punonte kamariere tek një nga lokalet e qendrës. -”E di ku i dallojmë ne, të majtët nga të djathtët? Thjesht fare. Kur vjen në lokalin tonë Kaç Islami dhe këta të majtët, nuk lenë asnjëherë bakshish. Ndërsa kur vjen ndonjë i djathtë, si princ Leka, ne zihemi kush t’i shërbejë. Madje dhe kur nuk arijmë të ndezim bombulat e gazit, ja të gjithë sytë tek rruga i kemi se mos duket Mediu”.
U ndjeve krejt habitur madje e fyer. Dhe ti që kishe menduar gjatë e gjatë, se ku ndryshonin të majtët nga të djathtët. “E bëre kafenë, shpirt?”- i thirre krejt pa mendje brunes që punon tek salloni i Sofies.
“Ja dhe pak se nuk po më ndizet bombula”, - u përgjigj ajo… Kishte ardhur më në fund çasti yt, mund të tregoje se dhe ti dije të shpërtheje diçka… Fundja nuk qenka dhe aq e vështirë të bëhesh politikan.

Pas Sofies
Nuk e di nëse pas të rejave nga Sofia keni ndryshuar mendje… Ndjesë, po tani më duhet të shkoj. Mu bë qejfi që pas tri javësh pushim ju ritakova.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›