Kampuset universitare, ku “flenë” 2 projektet
Nertila Maho
Viti i ri akademik sapo është çelur dhe për studentët ka nisur “maratona” nëpër fakultetet përkatëse, por edhe në godina të marra borxh. E në këtë atmosferë ka edhe të tjera projekte që rizgjohen, të cilat me pushimet e verës kishin rënë në qetësi. Të tillë janë projektet e dy kampuseve aq të shumëpërfolur të Universitetit të Tiranës dhe të atij të Politeknikut. Ata vijojnë të mbeten vetëm në letër e flenë në sirtarë. Përpjekjet për përmirësimin e infrastrukturës arsimore apo zgjerimin e ambienteve aktuale nuk është se kanë munguar, por fillimi i zbatimit të projekteve të kampuseve gjigantë duket se akoma është larg. Refreni se së shpejti gjithçka do të vihet në jetë tashmë ka më shumë se një vit që dëgjohet nëpër ambiente të ndryshme akademike. Në praktikë akoma nuk është parë gjë. Problemet të cilat kanë çuar në “ngecjen” e ndërtimit të këtyre kampuseve janë nga më të ndryshmet. Duke filluar nga çështjet e pronësisë ku do të ngrihen godinat e deri tek më e rëndësishmja që është financimi i plotë i kampuseve. Kjo pjesë përmes buxheteve që miratohen në çdo fillim viti. Kështu meqë në asnjë pikë të tij nuk është parashikuar financimi i këtyre projekteve, mbetet të mendosh se vetëm në 2010-ën mund të bëhet diçka më shumë. Deri atëherë zgjidhja e vetme janë zgjerimet modeste që ju bëhen godinave ekzistuese të universiteteve. Kjo nisur nga fakti që si Universiteti i Tiranës, ashtu edhe ai i Politeknikut kanë ndërmarrë një iniciativë për një sërë rikonstruksionesh apo ndërtimesh të reja. Ato do të kryhen pranë disa godinave ekzistuese, por që nuk kanë të bëjnë me kampuset universitare. Nga informacioni prej rektoratit të Universitetit të Tiranës apo atij të Politeknikut bëhet me dije se përpjekjet për ta çuar këtë çështje në qendër të vëmendjes nuk kanë munguar. Por insistimi i tyre nuk është kurorëzuar me ndonjë sukses në lidhje me fillimin e zbatimit të asaj çka duket e sistemuar bukur në maketet përkatëse. Duke pasur parasysh që ndërtimi i kampuseve universitare do të kërkojë një kohë relativisht të gjatë çdo vonesë, që shkaktohet është në dëm mbi të gjitha të vetë studentëve. Atyre do t’u duhet që për të paktën dhe nja tre vjet të mira të marrin leksionet në auditorët e supermbushur, e pse jo të rrinë edhe dy vetë në një karrige. Këtë eksperiencë e ka provuar jo pak herë gjithkush që ndjek një shkollë të lartë publike. Ndërkohë që ndërtimi i gjigandëve të infrastrukturës do t’i jepte tjetër nivel arsimimit. Kjo jo vetëm në akomodim, por edhe në cilësinë e mësimdhënies. Arsimi i lartë në vendin tonë do të merrte një tjetër frymëmarrje. Investime të kësaj natyre janë kushte të vendosura edhe nga organizmat ndërkombëtare. Zhvillimi i arsimit mbetet një pikë kyçe për integrimin e vendit.
Investimi për Universitetin e Tiranës, deri në 30 milionë euro
Hapësira që do të zërë kampusi i Universitetit të Tiranës do të jetë rreth 40 mijë metra/katrorë. Në godinën që parashikohet të ngrihet dhe që kap një vlerë prej rreth 30 milionë eurosh do të ketë hapësira të konsiderueshme për zhvillimin e procesit mësimor, qendër sportive, bar restorant. Kostoja për realizimin e projektit përfundimtar është në dorë të MASH dhe ndërtimi nëse fillon duhet të mbarojë brenda një afati 3-vjeçar. Sipas burimeve tona brenda Rektoratit, disa nga arsyet se pse ende nuk ka filluar diçka konkrete lidhur me projektin e kampusit janë financimet, pra kostoja është shumë e lartë dhe në buxhetin e 2009-ës nuk është parashikuar asgjë për këtë ndërtim dhe çështjet e pronësisë. Universiteti i Tiranës nuk mund të investojë në një pronë që ende nuk është pronë e tij. Lidhur me çështjen e kampusit rektori Dhori Kule ka pasur tre takime me Kryeministrin Berisha, i cili është shprehur optimist për këtë projekt, por që pritet që me anë të një VKM-je prona të kalojë në pronësi të Universitetit të Tiranës dhe më pas të shihet se çfarë do të bëhet me fillimin e punimeve dhe me burokracitë e tjera të nevojshme.
Jorgaq Kaçani: "Kemi hartuar projektzbatimin"
Universiteti i Politeknikut gjithashtu ka projektin e një kampusi. Ky i fundit i cili do të shtrihet mes "Sheraton"-it dhe Gardës do të ketë një hapësirë rreth 70 mijë metra/katrorë. Rektori i Politeknikut Jorgaq Kaçani për "Panorama" tregon se në ndryshim nga Universiteti i Tiranës, Politekniku nuk ka ndonjë problem me pronësinë sepse në territorin ku do të shtrihet kampusi vetëm 200 metër tokë janë private, ndërsa pjesa tjetër nuk përbën problem. Sipas Kaçanit para se të fillojë ndërtimi hartohet një projektzbatim, të cilin ne e kemi hartuar dhe do ta dorëzojmë pranë MASH për 2009-2010. Pas kësaj, fitohet e drejta për të konkurruar për grandet. Sipas Kaçanit pritet që të dyfishohet Korpusi Qendror, kurse pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit ka filluar ndërtimi i godinës me hapësirë rreth 5000 m2, e cila pritet që të përfundojë vitin tjetër. Sipas Kaçanit, ndërtimi i kampusit universitar të Politeknikut do të jetë një hap para drejt akreditimit të universiteteve shqiptare, por edhe do të shtojë dyfish kapacitetet e këtij universiteti.