E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpoli ekstradohen nga Italia dhe Greqia dy persona të kërkuar

 

TIRANE - Një i kërkuar për vjedhje me dhunë dhe një tjetër për shfrytëzim prostitucioni janë ekstraduar dje nga Italia dhe nga Greqia. Sipas policisë mësohet se është ekstraduar nga Italia 31-vjeçari Valentin Dodaj, nga Mirdita. Ai ka mbërritur dje në Rinas nga Milano e Italisë pasi Gjykata e Mirditës, më 27 prill të vitit 2000, e ka dënuar atë me 6 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "Vjedhjes me dhunë në bashkëpunim". Valentin Dodaj, i njohur ndryshe me pseudonimin Doda në bashkëpunim me Martin Dodën, më 27 shtator të vitit 1998, i kanë rrëmbyer shtetasit Durim Gj., makinën e tij tip Mercedes Benz. Ai u arrestua më 29 prill të vitit 2008 në Itali dhe dje u bë i mundur ekstradimi i tij. Ndërsa nga Greqia është ekstraduar Julian Mingo, 30 vjeç, nga Korça. Sipas policisë Gjykata e Korçës, më 11 prill të vitit 2006, ka vendosur për të masën e sigurisë "arrest në burg", për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese. Julian Mingo akuzohet se në verën e vitit 1997, së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar, kanë shkuar në fshatin Liqenas të Korçës, ku banonte vajza K.XH., me të cilën ai kishte njohje familjare dhe përmes mashtrimit dhe përdorimit të dhunës e kanë dërguar atë në Itali ku është shfrytëzuar prej tyre si prostitutë. Në verën e vitit 1997 Mingo ka takuar K.Xh. dhe i ka propozuar asaj të shkonin në plazh. Pasi ajo ka pranuar dhe ka hipur në automjet, ai në bashkëpunim me të tjerë, i kanë mbyllur gojën dhe e kanë kërcënuar duke përdorur dhunë. Vajza është mbajtur disa ditë në banesa të ndryshme, në Lezhë, Durrës dhe Vlorë, më pas e kanë çuar në Itali ku e kanë shfrytëzuar për rreth 8 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›