"Kumbaros i mbeti në dorë Remzi Hoxha"
Armand Bajrami
Familjarët e Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptaro-maqedonas të rrëmbyer dhe zhdukur në vitin 1995, reaguan dje ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për shuarjen e "arrestit me burg" ndaj Ilir Kumbaros, një prej të akuzuarve të kësaj ngjarjeje. Sipas tyre, vendimi i togave të zeza të gjykatës së Lartë është i padrejtë. Në reagim familjarët hedhin akuza mbi sistemin gjyqësor shqiptar duke theksuar se "krimineli po shpërblehet për krimet e bëra". Sipas reagimit të nënshkruar nga djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha, Ilir Kumbaro fajësohet drejtpërdrejt, si personi që ka parë për herë të fundit të zhdukurin Remzi Hoxha. Akuza vazhdonte më tej duke e cilësuar Kumbaron si "personi të cilit i ka 'mbetur në dorë' Remzi Hoxha". Duke pohuar se "në Shqipëri nuk ka drejtësi të mirëfillte", Ardian Hoxha garantonte se nuk do të ndalej së kërkuari babin e tij. Madje, sipas familjarit të Hoxhës, me vërtetimin e identitetit Ilir Kumbaros në Angli, në procesin gjyqësor tek Krimet e Rënda do të jetë më e lehte zbardhja e ngjarjes. Vendimi i shpallur nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vë në rrezik ekstradimin e Ilir Kumbaros në Shqipëri, për t'u ulur në bankën e të akuzuarve të dosjes "Remzi Hoxha" tek Krimet e Rënda. Kumbaro aktualisht qëndron në masën e sigurisë "arrest me burg" në Londër, që pas arrestimit të tij në tetor të vitit 2008, vetëm për llogari të drejtësisë shqiptare.
REAGIMI
Lajmi për shuarjen e masës së sigurisë "arrest me burg" ndaj Ilir Kumbaros duket se nuk ka kaluar lehtë në familjen e biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha. "Kjo tregon edhe njëherë se sa e brishtë dhe jo e drejtë është drejtësia dhe politika në Shqipëri. Krimineli shpërblehet për krimet e bëra. Sidoqoftë, ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për implikimin e Ilir Kumbaros në zhdukjen, torturimin dhe si pasoje vdekjen e babait tim", thuhej në reagimin e djalit të Remzi Hoxhës. "Ilir Kumbaro vetëm se na dëshmoi që e ka pasur të vështire ta pranojë këtë identitet të vetin qe e ka krijuar si kriminel, duke mohuar se është Ilir Kumbaro dhe pretenduar se është Shaqa Shatri, një njeri i ndershëm nga Kosova. Sido që të jetë, procesi gjyqësor nuk do të ndalohet dhe do te vazhdoje deri ne zbardhjen e plote te rastit. Ka prova te mjaftueshme që dëshmojnë se Ilir Kumbaro ka qene personi i fundit i 'që e ka pasur në dorë babain tim', para se 't'i ngelte ATIJ në dorë'. Pra, për mua personalisht kjo nuk ka ndonjë peshë të veçantë, përveçse na tregon edhe njëherë se në Shqipëri nuk ka drejtësi të mirëfilltë', thuhej në reagim. "Por siç e kam thënë shumë herë, në Shqipëri ende ka burra të mirë, shqiptarë të vërtetë, të cilët e mbrojnë drejtësinë, moralin dhe nderin e kombit tonë. Për më shumë, mos t'i shkojë mendja askujt se ne do të ndalemi së kërkuari babain tim, deri në anëtarin e fundit të familjes tonë", përfundonte reagimi.
Gjykata e Lartë pushoi masën e arrestit të `03
TIRANE - Dy ditë më parë, një pesëshe gjykuese e Gjykatës së Lartë vendosi shuarjen e masës së sigurisë "arrest me burg" për Ilir Kumbaron. Ish-funksionari i SHIK-ut, i pandehur në procesin "Remzi Hoxha" tek Krimet e Rënda, qëndronte në këtë masë siguri që prej tetorit të vitit të kaluar, kur u arrestua në Londër për llogari të drejtësisë shqiptare. Kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë u bë nga mbrojtësit e tij ligjorë, të cilët pretenduan se prokuroria kishte vepruar me dy standarde. Sipas avokatëve, masa "arrest me burg" e caktuar për Kumbaron në vitin 2003 nuk ishte rivlerësuar pas rihapjes së dosjes në vitin 2006, ashtu siç ishte bërë për të bashkëpandehurit e tjerë në të njëjtin proces. Paraqitja e vendimit të Gjykatës së Lartë pranë autoriteteve angleze, pret të legjitimoje nxjerrjen nga qelia të Kumbaros, çka do të rrezikonte seriozisht ekstradimin e tij për në Shqipëri. ar.ba