E Diel, 1 Nëntor 2026

Defekti elektrik nuk errësoi dot ngjyrat festive të trofeut “Taçi Oil”

Real Madrid meritoi fitoren në një ndeshje që u ndoq me entuziazëm nga afro 15 mijë shikues në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”, i cili dje nuk ka qenë në lartësinë e emocioneve të ndeshjes. Fitimet nga biletat shkuan për bamirësi për të dëmtuarit nga përmbytjet, ndërkohë që mediat ndërkombëtare njoftojnë se në Shkodër Reali do të hapë për bamirësi edhe një akademi futbollistike Miqësorja mes ekipit të Gramozit dhe Real Madridit e zhvilluar në mbrëmje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” është fituar nga spanjollët me rezultatin 2:1. Për ekipin e Gramozit shënoi Daniel Xhafa që në minutën e dytë të ndeshjes, ndërkohë që për Realin e Madridit barazoi Rikardo Kaka 10 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Pak sekonda para fillimit të pjesës së dytë, një black-out në sistemin e brendshëm elektrik të stadiumit Qemal Stafa ka lënë në errësirë shikuesit e etur për spektakël, një minutazh ankthi që ka zgjatur rreth 60 minuta, gjatë të cilit në mënyrë ekzemplare, Reali i Madridit ka nderuar spektatorët dhe Shqipërinë duke pritur me durim zgjidhjen e defektit dhe vijimin e ndeshjes, paçka se në mënyrë të pazakontë. E keqja ka kaluar përmes fishkëllimave dhe pjesa e dytë ka folur tërësisht për galaktikët, ku Kristiano Ronaldo dhe Benzema kanë shkëlqyer me grintën e tyre në fushë, ndërkohë që për Gramozin vlen të përmendet paraqitja e mirë e portierit Orges Shehi si dhe e brazilianit Do Santos. Në minutën e 80 Karim Benzema ka kaluar Realin në avantazh, duke e bërë ekipin kastilian edhe fitues të edicionit të tretë të trofeut “Taçi Oil”. Galaktikët e Real Madrid zbritën dje në Tiranë. Me një avion Airbus 310 emrat e njohur të skuadrës së madhe kanë zbritur në aeroportin e Rinasit dhe janë drejtuar për në kryeqytet në ambientet e “Sheraton”. Në masa të forta sigurie nga policia e Tiranës, rreth mesditës futbollistët janë akomoduar në hotel, ku tekniku Pelegrini, C.Rolando dhe Kaka dolën para medias. Trajneri i Realit, Pelegrini tha se kjo ndeshje nuk do të jetë vetëm stërviste por edhe një zbavitje për njerëzit. “Dimë që këtu ka qenë më parë edhe Milani, por ne jemi të lumtur që do të luajmë një ndeshje të tillë, e cila ka për qëllim t’u vijë në ndihmë familjeve në Veriun e Shqipërisë. Pasi u njohën me situatën pas përmbytjes, presidenti i Realit Florentino Perez premtoi se do të mundësonte edhe çeljen e një akademie sportive për moshat e reja në qytetin e Shkodrës. “Dua të falënderoj kompaninë Taçi Oil që na ftoi dhe shpresojmë të dhurojmë një ndeshje të bukur për njerëzit që do të jenë në stadium”, tha trajneri. “Herën e fundit që kam qenë këtu ishte një ndeshje kualifikuese dhe natyrisht që unë isha më shumë serioz, sepse atëherë edhe kombëtarja portugeze ishte në pozicion të vështirë. Sot jam më i qeshur dhe shpresoj t’i zbavitim ata që do të jenë në stadium”, tha C.Rolando. Kaka i cili vjen për herë të dytë në Shqipëri, tha se “nuk ka pasur shumë kohë të shohë ndryshimet nga ndeshja e parë, megjithatë është kënaqësi që jam këtu”. Zv/presidentja e Taçi Oil tha se kjo është një mundësi e mirë për këtë kompani e cila të ardhurat e ndeshjes ia ka dedikuar personave të prekur nga përmbytjet në Shkodër....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›