Defekti, gjysma e qytetit, 3 ditë pa ujë të pijshëm
GJIROKASTER - Gjysma e Gjirokastrës ka ngelur pa ujë gjatë 48 orëve të fundit. Një defekt i zakonshëm në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike, ka privuar nga furnizimi me ujë të pijshëm të afro 17 mijë banorëve të qytetit të gurtë. Mungesa e energjisë elektrike në stacionin e pompimit të Budukut, është konstatuar në orët e para të ditës së të hënës duke vazhduar kështu edhe përgjatë ditës së martë. Sipas drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Dasho Qeli, apeli i qytetarëve që kanë ngelur pa ujë është mëse i justifikueshëm. "Grupet e kontrollit të ndërmarrjes sonë kanë ndërmarrë inspektime të ndryshme në pjesë të qytetit për të parë nga afër gjendjen e tubacioneve", pohoi Qeli, ndërsa pritet që uji të rikthehet ditën e sotme. Gati gjysma e lagjeve të qytetit të Gjirokastrës kanë ngelur pa ujë dhe shumica e këtyre banorëve, nga burimi i Budukut, furnizohet një pjesë e lagjes "18 Shtatori", Granica, Palorto, Dunavat, Manalat, Punëtori, Zinxhira dhe Varrosh. Qyteti-muze frekuentohet në këtë sezon dhe nga shumë turistë. p.n