E Diel, 1 Nëntor 2026

Defekti i grekëve bllokon Kapshticën

Këputja e kabllos që lidh rrjetin kompjuterik të doganës me rrjetin kombëtar, është bërë shkak për ndërprerjen e punës për të paktën dy orë në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Bëhet fjalë për një defekt që ndodh në anën greke të pikës së kalimit kufitar, siç ndodh rëndom. Sipas autoriteteve greke, ka qenë një ekskavator që gjatë punimeve ka shkaktuar këtë defekt të rëndë, duke shkëputur kështu rrjetin dhe ndërprerë punën në sportele. Për të paktën dy orë gjatë pasdites, nga ana e palës greke nuk është kryer asnjë veprim me kalimet ndërkufitare në hyrje dhe dalje të territorit. Më pas, me akord të dy palëve është vënë në dispozicion një sportel i vetëm për të bërë kalimet e mjeteve të tonazhit të rëndë. Sipas burimeve nga policia kufitare, defekti nuk ka shkaktuar radhë të gjata, pasi fluksi i lëvizjeve ka qenë i ulët, megjithatë shtetasve që janë paraqitur gjatë pasdites u është dashur të presin për të paktën dy orë deri në riparimin e këtij defekti në sistem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›