E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet hajduti që la tri komuna pa ujë

Një 19-vjeçar nga fshati Dërmënas i Fierit është shpallur person në kërkim nga policia, pasi rezulton autor i dyshuar i vjedhjes së pompave të stacionit të pompimit që furnizon tri komuna me ujë. Pas konstatimit të dëmit të shkaktuar, që ka sjellë pasoja te një komunitet prej më shumë se 10 mijë banorësh, uniformat blu janë vënë në kërkim të shtetasit Shkëlzen Çeliku. Sipas burimeve policore lokale, mësohet se rreth orës 23.00 të mbrëmjes së të martës, policia është sinjalizuar për vjedhjen e ndodhur në basenin ujor të zonës së Havaleasit. Pas marrjes së deklarimit të parë të vjedhjes, ekspertët kriminalistë dhe disa uniforma blu i janë drejtuar vendit, ku dhe ishte regjistruar vjedhja. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë mësohet se vjedhja e pompave të basenit ujor ka ndodhur rreth orës 21.00 të mbrëmjes. "Veprimet e para hetimore kanë treguar se prej ndërmarrjes së basenit të Havaleasit janë vjedhur katër pompa të mëdha tepër të fuqishme, si edhe katër elektromotorë, të cilët shërbenin për furnizimin me ujë të zonave përreth. Për marrjen e këtyre materialeve, autorit i është dashur që më parë t‘i çmontojë ato", saktësojnë burime zyrtare të policisë lokale. Burimet e policisë kriminale pohojnë se po punojnë për gjetjen e vendndodhjes së autorit të vjedhjes së kryer në bashkëpunim. Si pasojë e shkëputjes së katër pompave të mëdha, si edhe e elektromotorëve të tyre kanë mbetur pa u furnizuar me ujë rreth 22 fshatra të rrethit të Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›