E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekti në kompjuterë, Kakavija e Tre Urat bllokohen për dy orë

GJIROKASTER- Për gati dy orë rresht, pikat doganore të Kakavijës dhe Tre Urat, dy nyjet kufitare tokësore me Greqinë janë bllokuar. Sipas autoriteteve, shkak është bërë një defekt në sistemin kompjuterik të kontrollit të pasaportave dhe dokumenteve të tjera doganore në pjesën greke të kufirit. Ndërprerja ndodhi rreth orëve të para të mëngjesit të djeshëm dhe normalizimi i situatës u bë rreth orës 10:00. Defekti i konstatuar ka bllokuar krejtësisht lëvizjet nga të dyja anët e kufirit, duke sjellë konfuzion dhe radhë. Në radhë për të kaluar drejt Greqisë kanë qëndruar më tepër se 400 automjete, të ndara në dy korsi, si dhe 12 autobusë të linjave ndërkombëtare. Në këto kushte, autoritetet kufitare të Kakavijës kanë marrë informacion zyrtar nga homologët e tyre helenë për situatën e krijuar. Mësohet se pasi kanë ardhur një grup specialistësh të informatikës nga Janina, të cilët bënë manovrimet e duhura duke ndërhyrë edhe në serverat e dalë jashtë përdorimit, situata u normalizua krejtësisht. Sipas burimeve, shkaku i defektit në sistemin informatik, ka qenë një luhatje e tensionit elektrik në orët e para të mëngjesit. Sapo është rikthyer sistemi i kontrollit përmes kompjuterëve në pjesën greke, ka filluar normalisht lëvizja në të dyja anët e kufirit. Kjo është hera e parë për këtë vit që sistemi informatik në pjesën greke të Kakavijës del jashtë funksionit. Emigrantë dhe pasagjerë të autobusëve u shprehën se kanë qëndruar rreth dy orë në radhë, ndërkohë që askush nuk u kishte dhënë një informacion për shkakun e vonesës së tyre. Edhe më parë ka ndodhur që autoritetet greke të shkaktojnë vonesa në përpunimin e emigrantëve, ndërsa shkaku zyrtar gjithnjë citohet defekti në sistemin kompjuterik.                      p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›