E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet emigranti 54-vjeçar, u rikthye pas krizës në Greqi

URE-VAJGURORE- Depresioni për shkak të varfërisë çon në vetëvrasje një emigrant të sapokthyer nga Greqia. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 02:00, kur familja e viktimës ndodhej në gjumë. 54-vjeçari Kujtim Agalliu, banues në lagjen “Guri Bardhë”, i ka dhënë fund jetës me një armë zjarri pistoletë. Sipas të dhënave nga familjarët e viktimës, Agalliu ishte kthyer rreth 2 muaj më parë nga Greqia. Ai kishte qenë emigrant në shtetin grek, por për shkak të krizës ekonomike dhe papunësisë kishte vendosur të kthehej me shpresën se do të gjente një vend pune në qytetin e tij. Por, tentativa për t’u punësuar ka rezultuar e kotë, çka e ka rënduar akoma dhe më shumë gjendjen emocionale të tij. Sipas familjarëve, në javën e fundit, 54-vjeçari kishte shfaqur një gjendje depresive më të rënduar. Kjo dyshohet të ketë qenë edhe shkaku i vendimit të vetëflijimit që ndodhi rreth 2 orë pas mesnatës të së mërkurës. Ai ka marrë një armë zjarri pistoletë, që e mbanin me pa leje në banesë, duke qëlluar veten me një plumb në kokë. Viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që krisma e armës brenda në banesë ka vënë në alarm familjarët. Ata kanë shkuar menjëherë në dhomën e tij, nga ku e kanë gjetur të pajetë në dysheme. Burime të Policisë së Beratit bënë të ditur se 54-vjeçari ka gjetur vdekjen nga një plumb në kokë. Grupi hetimor mbërriti në vend dhe mori në pyetje edhe familjarët e viktimës. Sipas dëshmisë së tyre, babai i tre fëmijëve është vetëvrarë për shkak se nuk mund të duronte varfërinë në të cilën ndodheshin. Ata kanë deklaruar se ishin të gjithë të papunë dhe mbaheshin vetëm me 2800 lekë në muaj me përkrahjen sociale që merrnin nga bashkia. “Kërkoi disa herë punë pasi u kthye nga Greqia, por nuk arriti të gjente. Edhe në Greqi kishte mbetur i papunë. Kohët e fundit ka shfaqur shenja të depresionit, por në javën e fundit gjendja e tij ishte shumë e rënduar”. Kështu janë shprehur në polici familjarët e 54-vjeçarit që i dha fund jetës me armë zjarri. Sipas tyre, ai nuk kishte dhënë asnjë sinjal për aktin fatal që do të kryente. Burime nga Policia bënë të ditur se po hetohet shkaku i vetëvrasjes, por paraprakisht dyshohet se ajo ka ndodhur në kushtet e një depresioni të rëndë.                                d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›