Ministria: Si do kontrollohen pikat e naftës dhe të gazit
Të gjitha pikat e tregtimit të gazit në vend do të kontrollohen për të parë nëse përmbushin apo jo kriteret e sigurisë për tregtimin e bombolave të gazit. Këshilli i Ministrave ka miratuar projektvendimin e hartuar nga Ministria e Energjetikës. Sipas këtij projektvendimi, do të ngrihet një grup pune i përbërë nga ekspertë të ministrive të ndryshme, të cilët do të kontrollojnë të gjithë tregun e naftës në vend. Tregu i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, aktualisht është një treg i hapur dhe i liberalizuar, në të cilin operojnë rreth 120 shoqëri të pajisura nga ministria përgjegjëse, për hidrokarburet me “leje tregtimi”, për tregtimin me shumicë të këtyre produkteve, si dhe rreth 870 stacione të shitjes me pakicë të karburanteve dhe 110 stacione të shitjes me pakicë të gazit të lëngëzuar të naftës (GLN). Por vitet e fundit ka pasur goxha probleme me subjektet që tregtojnë me pakicë. Në të gjithë vendin ushtrojnë aktivitet të tregtimit me pakicë të karburanteve, për automjete rreth 870 stacione dhe rreth 110 stacione të shitjes me pakicë të GLN. Por një pjesë e mirë e pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve dhe gazit rezulojnë se e ushtrojnë këtë aktivitet pa pasur një leje apo një autorizim. Por sipas vendimit të miratuar nga qeveria, grupi i punës i përbërë nga ekspertë të ndryshëm, do të kontrollojë të gjitha pikat e tregtimit dhe në rast se ato nuk janë të sigurta, atëherë ata do të mbyllen. Qeveria ka miratuar edhe bllokimin e bombolave të gazit që si skrap, si dhe konfiskimi i bombolave jashtë standardeve teknike.