E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riparimi i autostradës mbaron në maj

 

Punimet për rikonstruksionin e autostradës Tiranë-Durrës do të përfundojnë në muajin maj. Kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka inspektuar ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e autostradës Tiranë–Durrës, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 500 milionë lekë. Ndërhyrja në këtë aks konsiston në riparimin e pjesshëm të shtresave asfaltike në gjithë gjatësinë e segmentit prej 32 km, si dhe të sistemimit të kanaleve anësore nga kryeqyteti deri në Durrës. Sipas ministrit  Olldashi, punimet do të përfundojnë në fund të muajit maj duke e sjellë rrugën në parametrat optimal gjë që do të shtojë edhe shpejtësinë e shkëmbimit të trafikut midis dy qyteteve. Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë që mund të shkaktohen në qarkullimin e mjeteve gjatë periudhës së zbatimit të punimeve por theksoi që ky është një operacion i domosdoshëm për ta sjellë rrugën në parametrat normale. Ndër të tjera, ai theksoi se MPPTT është duke mbajtur me të njëjtat ritme financimet në sektorin rrugor dhe se janë një sërë rrugësh të reja që janë hapur në fund të vitit 2008 por edhe të tjera që do të hapen në muajt e parë të këtij viti, si rikonstruksione rrugësh dhe aksesh që janë në hyrje të qyteteve, të cilat janë të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e infrastrukturës rrugore të vendit.

Olldashi
Ministri Olldshi ka rikërkuar nga Bashkia e Tiranës vënien në dispozicion të projektit për ndërtimin e unazës së madhe. Sipas tij, ministria që ai drejton ka fondin e duhur në dispozicion, qoftë për shpronësimin, qoftë për ndërtimin e saj, ndaj është më mirë që të dorëzohet projekti, pasi sipas ministrit Olldashi: “Të lësh kryeqytetin pa unazë edhe për 3 vjet nuk është ndonjë gjë fort e mençur”.

Bashkia
Bashkia e Tiranës ka reaguar kundër kërkesës së bërë nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Sipas Bashkisë së Tiranës, unaza e madhe e Tiranës do të ndërtohet nga vetë ata. Ndryshe nga sa pretendon ministria, zyrtarët e Bashkisë së Tiranës kanë deklaruar se janë në gjendje që të gjejnë fondet e duhura për ndërtimin e unazës së madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›