E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta D2, tregtarët do shesin rezervat e importuara në 2008

 

Fabiola Çela

Zbardhet udhëzimi më i ri i Ministrisë së Financave mbi shitjen e naftës D2. Sipas këtij udhëzimi, grosistët që kanë importuar naftë D2 gjatë këtij muaji dhe që në magazinat e tyre vazhdojnë të kenë naftë të kësaj cilësie, do t’u lejohet shitja e saj. Por me përfundimin e kësaj ngarkese, grosistëve nuk do t’u lejohet më importimi i D2. Ndërkohë Ministria e Financave ka përcaktuar se këtë kategori karburanti mund ta importojnë vetëm ato kompani, të cilat naftën D2 nuk do ta shesin pranë pikave të karburantit për makinat apo për gjeneratorët. Nafta D2 duhet të jetë e ngjyrosur, si dhe duhet të përdoret vetëm për serat me ngrohje apo përdorime të tjera të kësaj natyre.
Udhëzimi
Që grosistët të shesin naftë D2, më parë duhet të plotësojnë disa kushte të vendosura nga Ministria e Financave. Së pari grosisti duhet të dorëzojë pranë pikës doganore dhe pranë Inspektoratit Qendror Teknik kontratën e shitjes me përdoruesin. Në këtë kontrata duhet të jetë e specifikuar destinacioni se ku do të përdoret kjo naftë në Shqipëri. Kjo naftë nuk duhet të shitet më për automjete apo për gjeneratorë. Ndërkohë tatimorët kanë për detyrë që të kontrollojnë vazhdimisht tregtarët e naftës për destinacionin e përdorimit të naftës D2 dhe në rast se konstatohen shkelje atëherë ndaj tyre janë parashikuar të merren masa të rrepta. Konkretisht nafta D2, përpara se të hidhet në treg, më parë duhet të ngjyroset. Ky proces kontrollohet nga ekspertët e Inspektoratit Qendror Teknik. Ky i fundit lëshon një vërtetim konfirmimi për subjektin importues, një kopje e të cilit së bashku me kopje të kontratës i dërgohet pikës doganore. Një kopje e kontratës i dërgohet edhe organeve tatimore. Me marrjen e këtij vërtetimi nga Inspektorati Qendror Teknik, dogana lejon importimin dhe hedhjen në treg të kësaj nafte. Por në rast se tregtarët kapen duke gënjyer, atëherë Inspektorati bllokon sasinë e importuar si dhe i propozon Ministrisë së Energjetikës që subjektit në fjalë t’i hiqet leja e tregtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›