E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deficiti duhet të ulet në nivelin e parakrizës

Modeli aktual i financimit të deficitit buxhetor është i paqëndrueshëm dhe qeveria shqiptare duhet të mendojë të ulë deficitin në nivelin e parakrizës, deklaroi dje guvernatori i BSH, Ardian Fullani, i pyetur nga "Shqip" nëse ndihej i kënaqur apo i pakënaqur nga reflektimi i qeverisë ndaj kritikave të tij.

"Në të gjithë botën ka pasur stimuj financiarë dhe borxhet kombëtare janë rritur, por qeveria shqiptare duhet të punojë që të mos kapërcejë deficitin e programuar", tha Fullani. BSH ka kritikuar direkt ose indirekt sjelljen e qeverisë në treg me rritjen e shpejtë të shpenzimeve. Që nga prilli, BSH i bëri thirrje qeverisë të anulojë një pjesë të investimeve publike ndërsa vazhdimisht iu lut të mos rrisë kërkesën për borxh. Pavarësisht kësaj, qeveria ka vijuar me axhendën e vet. Gjatë periudhës janar-shtator, shpenzimet e qeverisë janë rritur me 23 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, ku shpenzimet operative janë rritur me 17 për qind. Në të njëjtën kohë, të ardhurat e qeverisë janë rritur me vetëm 5.8 për qind pavarësisht se dobësimi i lekut sjell të ardhura më të larta nga taksimi i importeve. Por shqetësimi më i madh i BSH dhe FMN-së duket se nuk është aq shumë çfarë ndodhi në të shkuarën, por çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Qeveria po përgatit një projektbuxhet për vitin 2010 dhe ka parashikuar rritje të të ardhurave me 15 për qind, shifër kjo jorealiste. Por duke parashikuar rritje të fortë të të ardhurave, qeveria i lejon vetes të parashikojë edhe shpenzime të larta, gjë që do të krijojë edhe më shumë rreziqe për stabilitetin makroekonomik.

"Përfundimisht qeveria duhet të tregohet realiste në parashikimin e buxhetit të vitit të ardhshëm", tha Fullani. "Deficiti i buxhetit duhet të kthehet sa më parë në nivelin që qe para krizës", tha ai.

Qeveria shqiptare ka ruajtur një nivel deficiti buxhetor prej rreth 4.5 për qind që nga viti 2003 deri në vitin 2007, por në vitin 2008 deficiti kërceu në 6.2 për qind, ndërsa këtë vit parashikohet të fluturojë në 6.5 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›