E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Raporti i Europolit ishte shqetësues

Partia Socialiste shprehu dje shqetësim për rritjen e veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, bazuar te raporti i fundit vjetor nga Europol tha se mjaft shqetësues mbetet fakti që Shqipëria qëndron vend bazë për grumbullimin dhe shpërndarjen e drogës.
Gjoni tha se janë katër elementët e rinj në veprimtaritë e grupeve kriminale shqiptare: përfshirja në rrjetin e shpërndarjes së kokainës; kthimi i Shqipërisë "si bazë për grumbullimin dhe shpërndarjen e heroinës në BE"; rritja e veprimtarisë trafikuese të grupeve kriminale shqiptare; prodhimi i drogave dhe lypja e trafikimi i fëmijëve për qëllime shfrytëzimi seksual e skllavërie. Nisur nga këto të dhëna PS bëri thirrje që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të thërrasë Këshillin e Sigurimit. "PS me këtë rast dëshiron t‘ju tregojë edhe një herë shqiptarëve se nuk është opozita dhe lufta e saj në mbrojtje të një të drejte të patjetërsueshme siç është e drejta e lirisë së votës ajo që po pengon dhe po vonon integrimin e Shqipërisë në strukturat e BE dhe sidomos për heqjen e vizave, por kjo qeveri e cila çdo ditë keqpërdoron rrugën europiane të Shqipërisë, dhe që nga ana tjetër është kapur nga krimi i organizuar, korrupsioni qeveritar e familjar", tha ai. Gjoni shtoi se opozita shqiptare dhe Partia Socialiste i thotë Sali Berishës dhe qeverisë së tij, se ajo gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet në mbështetje të aspiratës së shqiptarëve për t‘u bërë pjesë e familjes europiane. "Por ne i themi Sali Berishës lufto krimin e organizuar, lufto korrupsionin, lufto kriminelët që nxore për të vjedhur votat, hiq dorë nga strategjia INVISO (nga presioni dhe dhuna), hiq dorë nga strategjia INLE (nga ndërhyrjet në institucionet ligjzbatuese dhe gjykatat) dhe hiq dorë nga strategjia INSO (nga influencimi për interesa vetjake i ekonomisë dhe shoqërisë) dhe atëherë shqiptarët do të integrohen e udhëtojnë lirshëm në BE", deklaroi ai. PS i bëri thirrje prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit informativ që të intensifikojnë përpjekjet dhe sofistikojë metodat e luftës kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›