Motrat Keshi dërgohen për kurim në Shkodër
Motrat Keshi, nga fshati Maqellarë nisen drejt Shkodrës për t‘u kuruar. Pasi kanë kaluar natën në spitalin e Peshkopisë, Fëllanza dhe Fidane Keshi, të cilat kanë jetuar për rreth dy dekada të lidhura me zinxhir, mesditën e së mërkurës janë nisur drejt qytetit të Shkodrës, për një trajtim më të specializuar shëndetësor. Mësohet se ato do të qëndrojnë në një qendër sociale, ku do të kenë mundësi t‘i nënshtrohen një mjekimi të specializuar, në këtë qendër kurative për të sëmurët mendorë. Burime nga spitali i Peshkopisë, saktësojnë se motrat Keshi, Fëllanza dhe Fidania, përkatësisht 47 dhe 35 vjeç, pasi kanë marrë mjekimin e duhur pranë këtij spitali nën kujdesin e mjekut psikiatër, Dilaver Çorja, janë nisur në drejtim të qytetit të Shkodrës. Ato kanë jetuar për rreth 22 vjet të lidhura me zinxhir, pasi i ati, i vetmi kujdestar i tyre, nuk kishte mundësi të kujdesej gjatë kohës që ishte në punë apo larg shtëpisë. Rasti i Maqellarës, pas atij të Fierit, ku shkeleshin hapur të drejtat e njeriut, nxori mangësitë në institucionet shtetërore, që mund dhe duheshin të merreshin me këtë problem.
Hy.Li.
Hy.Li.