Deficiti tregtar ulet me 1.9 për qind në muajin gusht
Ndonëse bilanci tregtar për muajin gusht 2009 flet për ulje të lehtë të eksporteve dhe importeve, deficiti tregtar ka një ulje në krahasim me muajin korrik 2009. INSTAT ka publikuar dje të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin gusht 2009, ku vihet re se tregtia me vendet e BE-së zë pjesën më të madhe të tregtisë me jashtë. Sipas INSTAT, në gusht 2009 u eksportuan 7.145 milionë lekë mallra, me ulje 26.1 për qind në krahasim me korrik 2009 dhe ulje me 7.7 për qind në krahasim me gusht 2008. U importuan 33.726 milionë lekë mallra me ulje 8.3 për qind në krahasim me korrik 2009 dhe ulje 5.1 për qind në krahasim me gusht 2008. Deficiti tregtar i këtij muaji është 26.581 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 1.9 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 4.4 për qind krahasuar me gusht 2008. Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian është 64.7 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 48.2 për qind dhe importi 20.2 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 5.9 për qind dhe importi 18.3 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur janë: për eksportin, Bullgari, Kroaci, SHBA, Spanjë, Turqi etj., dhe për importin, Bullgari, Greqi, Holandë, Rumani, Rusi, SHBA etj. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon që: eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 58.7 për qind, “Ushqime, pije, duhan” u rrit 10.4 për qind, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 1.5 për qind. Ndërsa eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 63.8 për qind etj. Importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 34.4 për qind. Ndërsa importi i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u ul 44 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u ul 34.7, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u ul 21.9 për qind etj. Në gusht 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 6.160 milionë lekë, duke zënë 18.3 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me korrik 2009, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 31.9 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuara e zënë nënproduktet e naftës (58.8 për qind).