E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, takim kokë më kokë me Papandreun në Athinë

Zgjedhjet në PS, mbyllet Berati dhe Durrësi, shtyhet sërish Shkodra

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nisur dje një vizitë në Greqi me ftesë të fondacionit “Andreas Papandreu”. I shoqëruar nga deputetët Fatmir Xhafa, Taulant Balla dhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kreu i selisë rozë do të ketë si pjesë të axhendës së vet edhe pjesëmarrjen në Forumin për Ekonominë Globale, që organizohet nga Internacionalja Socialiste në ishujt Poros. Ndërkohë, me interes kanë qenë takimet e zhvilluara me përfaqësues të PASOK-ut, si ai me sekretarin e përgjithshëm Socratis Xinidis, por edhe ai me Kryeministrin grek, Jorgos Papandreu, i cili duket se ka qenë privat. Lidhur me axhendën e ngushtë partiake të Ramës, “Top Channel” ka përcjellë dje prononcimet direkte të tij dhe Xinidis, ku është bërë e njohur se diskutimet janë përqendruar në bashkëpunimin dypalësh dhe problematikën e emigrantëve. “Nga një anë u njohëm me mënyrën e organizimit të punës dhe biseduam për një platformë bashkëpunimi për rritjen e cilësisë së organizimit të komunikimit të partisë me publikun. Nga ana tjetër u njohëm me masat e Kryeministrit mik Jorgos Papandreu për të përfshirë emigrantët shqiptarë në votimin për zgjedhjet vendore”, deklaroi Rama. Nga ana e tij, zyrtari i lartë i PASOK-ut, ka nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera me socialistët shqiptarë, me të cilët, sikurse u shpreh ai, do të ketë një zhvillim të bashkëpunimit. Në kuadër të punimeve të IS, Edi Rama pritet të zhvillojë disa takime me rëndësi, si ajo me shefen e diplomacisë britanike Catherine Ashton, liderin e socialistëve europianë, Luis Ayala, si dhe me atë të së majtës franceze, Segolene Royal.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›