E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dega e Monumenteve, kontroll te “Vila Themistokli”

Administratori aktual deklaron se pas sulmit për godinën, fshihen motive politike

Debatet e krijuara kohët e fundit për shtëpinë muze të patriotit Themistokli Gërmenji kanë sjellë reagimin e Degës së Monumenteve të Kulturës të Korçës. Përfaqësues të saj kanë deklaruar se do të ushtrojnë kontroll për të parë gjendjen e objekteve historike që ndodhen në të. Një vit më parë, ky institucion, vendosi të ndëshkojë me një gjobë prej 500 mijë lekësh pronarin Ilir Voci për cenimin e shtëpisë muze dhe kthimin e tij në lokal, si dhe nuk ka marrë asnjë leje për të ndërhyrë dhe ndryshuar strukturat e brendshme të shtëpisë muze të Themistokli Gërmenjit. “çështja e shtëpisë muze të Themistokli Gërmenjit është një rast i njohur. Disa herë ka pasur ndërhyrje nga Dega e Monumenteve të Kulturës dhe një vit më parë ne kemi vendosur një gjobë prej 500 mijë lekësh për personin që administron aktualisht shtëpinë muze të patriotit Themistokli Gërmenji, për ndryshim të strukturave të brendshme dhe të jashtme të ndërtesës. Kjo gjobë është vendosur pasi në bazë të ligjit për monumentet e kulturës, dhe sidomos në rastin e shtëpisë muze të patriotit Themistokli Gërmenji, që është monument kulture i kategorisë së parë, nuk është marrë leje për kryerjen e punimeve në ndërtesë. Këto punime kanë qenë pa leje dhe pas disa kontakteve dhe ndërhyrjeve për ndërprerjen e punimeve, pronari u gjobit pasi i kreu ato pa lejen e degës së monumenteve”, ka deklaruar drejtori i Degës së Monumenteve të Kulturës në Korçë, Artan Buzo. Ndërkaq Ilir Voci, zotërues i 75 për qind të pronës në vilën “Themistokli”, thotë se gjithë zhurma bëhet për motive që nuk kanë fare lidhje me pronësinë. Voci është anëtar i Këshillit Bashkiak të Korçës dhe thotë se problemet kanë nisur pas përplasjeve që ka pasur me kryetarin e Bashkisë, Niko Peleshi, në lidhje me projektin për qendrën e qytetit. “Nuk ka asnjë problem pronësie vila. Unë i kam të gjitha dokumentet që vërtetojnë se kush është pronar. As me reliket e Themistokli Gërmenjit nuk ka probleme. Gjithçka në atë shtëpi është marrë me inventar dhe nuk ka humbur asgjë. Le të vijnë e ta verifikojnë! Problemi i vetëm është ai që kam unë si arkitekt dhe anëtar i këshillit bashkiak me projektin e qendrës së qytetit”, thotë Voci, replika e plotë e të cilit do të botohet në numrin e nesërm të gazetës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›