E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vallja e dasmës, shkak për sherr mes dy grupeve

Bulqizë Kërkohet ndihmë nga Policia e Peshkopisë. Dy të rinj në spital

Ceremonia e një dasme në Lagjen e Re të qytetit të Bulqizës është bërë shkak përplasjeje mes të zotëve të dasmës dhe një grupi të rinjsh. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës rreth orës 23:30, kur një grup të rinjsh prej rreth 7-8 vetash, janë afruar pranë pallatit të familjes Qoku, që kishte hapur ahengun e martesës së djalit. Fillimisht përplasja ka nisur kur të rinjtë kanë tentuar të hyjnë në vallëzim pa radhë, gjë që është kundërshtuar nga familja. Përplasja, përveç përdorimit të mjeteve të forta si thika, gurë, etj., është shoqëruar edhe me përdorimin e armëve. Dëshmitarë okularë të ngjarjes thonë se një i afërt i familjes, i ftuar në dasmë, efektiv i Policisë të Qarkut Dibër, i ndodhur me leje të zakonshme, ka gjuajtur në ajër me pistoletë në tentativë për të shuar sherrin. Menjëherë pas krismës së armës, në vendngjarje kanë shkuar forca të Policisë të Komisariatit të Bulqizës, por pa mundur ta vënë nën kontroll situatën e krijuar. Kjo i ka detyruar këta të fundit të kërkojnë ndihmën e policisë të Peshkopisë. Si rezultat i përplasjes, dy persona nga një për çdo grup, kanë përfunduar në Spitalin e Bulqizës, ku pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore njëri është dërguar në Spitalin e Peshkopisë dhe tjetri në Tiranë për një ndërhyrje më të specializuar mjekësore pasi kanë qenë me dëmtime të rënda me fraktura në kokë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›