Vidhnin kabllon elektrike dhe linin fshatrat pa drita
Një grup që merrej me vjedhjen e kabllove elektrike për ndriçim në vendet publike është zbuluar nga policia e kryeqytetit, ku janë vënë në pranga tre persona dhe është shpallur në kërkim një i katërt. Mes të arrestuarve është edhe pronari i një dyqani, i cili u siguronte tregun hajdutëve për të shitur sendet e vjedhura. Madje, pas kapjes së tyre, ata kanë pranuar edhe një tjetër vjedhje, të ndodhur pak ditë më parë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se mesditën e së martës, nga shërbimet e Komisariatit Nr. 5, në bashkëpunim me Komisariatin nr. 1, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve Hazis Asllan Dermishi, 26 vjeç, banues në Vorë, Bledian Farik Muça, 25 vjeç, banues në Vorë dhe Estref Tafil Gjoshi, 66 vjeç, banues në Laprakë. Sipas të dhënave hetimore, arrestimi i personave të lartpërmendur u bë sepse rreth orës 05.00 të së martës, në Njull Bathore, janë kapur në flagrancë, duke vjedhur kabllon e energjisë elektrike. Dermishi dhe Muça po vidhnin kabllon që përdoret për të ndriçuar rrugën për në Bathore, duke shfrytëzuar edhe ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike. Ndërsa shtetasi Estref Gjoshi u arrestua në flagrancë, sepse në pikën e grumbullimit të metaleve, që administron në qytetin e Kamzës, iu sekuestrua një sasi e konsiderueshme, e kabllos së energjisë elektrike, e shitur nga dy personat e mësipërm. Ndërsa në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 600 metër kabllo energjie elektrike, dy gërshërë që përdoreshin për prerjen e tyre dhe 20 kg tel i zhveshur (bakër). Ndërkohë, nga puna e bërë rezulton se shtetasit Hazis Dermishi e Bledian Muça, në bashkëpunim me shtetasin Petrit Muharrem Kallmeti, 33 vjeç, banues në Armenas të Krujës janë autorë të vjedhjes së rreth 2 mijë metrave kabllo, ndodhur më datë 2 gusht 2010, në Komunën e Petrelës. Policia shtoi se Kallmeti është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Ndërkaq, materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, për konsumim të veprës penale të vjedhjes.
#