E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, konflikti për truallin rrezikon pezullimin e punës së OSSH-së

Pronari i tokës kërkon t’i jepet qira. Gjykata i jep të drejtë filialit elektrik

Konflikti ligjor mes pronarit të truallit dhe zyrave të OSSH-së së Kukësit po rrezikon pezullimin e punës së administratës së kësaj të fundit. Deri para pak muajsh, mendohej se zyrtarët e degës së OSSH-së në Kukës ishin sistemuar përfundimisht në disa mjedise të ndërtuara vitet e fundit afër kabinave të disa transformatorëve të fuqishëm. Por një konflikt ligjor që lidhet me pronësinë e truallit rrezikon të dëbojë nga zyrat aktuale administratën lokale të OSSH-s në Kukës, duke krijuar një tjetër problem për këtë filial. Pronari i truallit, Halil Cengu, një muaj më parë ka bllokuar për një kohë të caktuar zyrat në fjalë, madje ka kërcënuar përsëri me bllokimin e hyrjes për nëpunësit, nëse shteti nuk i paguan atij qiranë e tokës apo të gjendet një zgjidhje tjetër. Cengu thotë se problemet kanë nisur me privatizimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë, pasi më parë nuk kishte asnjë konflikt të shprehur me shtetin.

“Deri sa OSSH ishte shtetërore nuk kishim asnjë konflikt. Kur i kanë ndërtuar zyrat, më kanë pyetur dhe unë kam dhënë miratimin që të ngrihen mbi truallin që është pronë e imja, konform rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe kemi vazhduar pa probleme. Shteti kishte nevojë dhe unë i jam përgjigjur pa ndonjë kompensim, por tani me privatin, ka ndryshuar situata. Këtyre unë u kërkoj të më paguajnë qira, sepse tani kemi marrëdhënie privat me privat. Kam kërkuar qira trualli për 300 metra katrorë, aq sa është ndërtesa”, thotë Cengu, duke treguar banesën e tij, ish-kinemanë e qytetit të privatizuar prej tij që është ngjitur me oborrin e shtëpisë, si dhe dokumentet e pronësisë. Bllokimi i punës së administratës së OSSH-së një muaj më parë nga ana e Cengut është bërë problem edhe për strukturat e rendit, ku pas negociatash është arritur në lirimin e objektit. “Këta të OSSH nuk m’u përgjigjën, prandaj e mbylla godinën, por më thanë se duhet t’i drejtohesha gjykatës dhe ashtu bëra.

E kam dërguar çështjen në gjykatën e rrethit, por kjo e fundit favorizoi OSSH-në. Më njohën me një ligj, përkatësisht me ligjin Nr. 7698, (datë 15.4.1993 PëR KTHIMIN DHE KOMPENSIMIN E PRONAVE ISH-PRONARëVE) i ndryshuar me një ligj tjetër, i cili më njeh mua si pronar, por që nuk më jep të drejtë të gëzoj pronën time”, thotë Cengu duke shtuar, se në këtë rast favorizohet privati OSSH. Ai shton se do të vazhdojë të kërkojë të drejtën e tij. “Unë ndjehem i pambrojtur dhe i braktisur nga shteti im, të cilit i shërbej dhe i paguaj çdo taksë”, ka thënë ai, ndërsa paralajmëron hapa të tjerë për të mbrojtur të drejtën e tij. Ndërsa në zyrat e OSSH-së vazhdohet të punohet. Disa nëpunës të elektrikut pohojnë situatën e tendosur që është krijuar mes pronarit dhe eprorëve lidhur me zyrat, por nuk pranojnë të prononcohen. Ndërkohë ende nuk dihet nëse gjykata do të pranojë sërish një rihapje të çështjes së pronës. Cengu thotë nga ana tjetër se është një problem i Kushtetutës për konfliktin ligjor që është krijuar për pronat. Një nen i ligjit thotë se pronarët nuk përfitojnë në rastet kur kemi të bëjmë me objekte të ngritura në interes publik. Një gjykatës në Kukës tha jozyrtarisht se ky ligj, apo ky nen do të gjente zbatim për objektet publike si dhe ato ndërmarrje publike apo shtetërore, por me privatin, siç është rasti i OSSH-së, ndryshon puna. Në oborrin e shtëpisë, dy kabina të linjave të tensionit të lartë nga 10 mijë volt, ku marrin energji dy lagje dhe administrata lokale e rajonale përbëjnë një rrezik të vazhdueshëm. Familjarët tregojnë se janë të kujdesshëm për të mos u afruar shumë, edhe pse kabinat janë mbyllur mirë. “Unë nuk kam ndërmend të kërkoj ndryshimin e vendit të kabinave, sepse e di që është një sipërmarrje e kushtueshme, por për zyrat që ndodhen sipër kërkoj qiranë”, ka këmbëngulur Cengu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›