E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dega e PS-së zyrtarizon listën e kandidatëve

Socialistët e Durrësit zgjodhën një menaxher banke në krye të degës lokale, ndërsa publikuan dhe propozimet e kandidaturave nga baza për këtë qark. Mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste në Durrës ka hedhur poshtë hamendësimet e shumta mbi emrin që do të kryesojë degën lokale të këtij qyteti, pas dorëheqjes së Gazmir Bizhgës. Ai është Edison Konomi, menaxheri aktual i një banke në qytetin bregdetar. Prej më shumë se dy muajsh janë përfolur disa emra për t‘u vendosur në krye të selisë lokale rozë, për ta udhëhequr këtë degë drejt zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjithashtu, gjatë mbledhjes janë bërë të ditura dhe propozimet e kandidaturave të kësaj force politike për Qarkun e Durrësit. Ato janë 10 burra dhe 2 gra, ndërsa emri i 13-të mendohet se do të jetë ai i sekretarit organizativ të PSSH-së, Blendi Klosi. Mes emrave ka dhe figura të konsumuara politikisht, ndërkohë që bie në sy kandidatura e ish-deputetit Agron Duka. Në listën e emrave duket se nuk është ruajtur 30%-shi i kandidaturave gra. Të propozuara janë ish-deputetja Natasha Paço dhe Drita Zeneli, drejtuese aktuale në një prej departamenteve të Bashkisë së Durrësit. Kreu i PS-së për qarkun, Bizhga, do të synojë sërish të përfaqësojë Durrësin në Parlament. Në listën e propozimeve është dhe emri i një tjetër ish-prefekti, Gëzim Agasit, si dhe Roland Xhelilit, ish-sekretar i përgjithshëm në prefekturë. V.Qyrfyçi

Emrat

Ilir Gjermeni

Ilir Shani

Gazmir Bizhga

Astrit Duçi

Roland Xhelili

Eduard Ruçi

Artan Luku

Natasha Paco

Servet Kasa

Agron Duka

Gëzim Agasi

Drita Zeneli



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›